Një aksident automobilistik i rëndë në Gjermani u mori jetën tre personave, mes tyre dy të rinj shqiptarë nga Kosova. Ngjarja ndodhi të dielën pasdite në rrugën B311, pranë qytetit Erbach, në landin Baden-Württemberg. Dy viktimat shqiptare u identifikuan si Leart Morina nga Sopniqi dhe Berhan Zeka nga Pataqani i Poshtëm, të dy nga Komuna e Rahovecit.
Sipas mediave gjermane, në aksident u përfshinë gjithsej nëntë automjete. Dy drejtues të mjeteve, 18 dhe 19 vjeç, humbën jetën në vendngjarje, ndërsa një pasagjer 26-vjeçar ndërroi jetë disa orë më vonë në spital nga plagët e marra. Nga përplasja mbetën të plagosur edhe tre persona të tjerë, mes tyre një 26-vjeçare e cila ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Hetimet paraprake bashkë me raporte nga vendngjarja bëjnë të ditur se dyshohet se drejtuesi 18-vjeçar humbi kontrollin e automjetit gjatë një manovre parakalimi me shpejtësi të lartë. Automjeti i tij u përplas fillimisht me disa mjete të tjera dhe më pas pati një përplasje ballore me një automjet që po vinte nga drejtimi i kundërt. Përplasja ishte tepër e fortë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke kthyer automjetet në një grumbull rrënojash.
Në vendngjarje ndërhynë forca të shumta policie, zjarrfikësish dhe ekipesh të emergjencës, dhe për shkak të aksidentit rruga B311 mbeti e bllokuar për më shumë se 20 orë. Lajmin për ndarjen nga jeta të dy të rinjve shqiptarë e konfirmoi edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili u shpreh me ngushëllime për familjet Morina dhe Zeka. Policia gjermane ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit tragjik.
