Një vajzë i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të kërkuar ndihmë, pasi pretendon se i kanë marrë telefonin pas një incidenti të ndodhur mbrëmjen e kaluar në zonën e 9-katësheve në Tiranë.
Sipas denoncimit, rreth orës 00:10, ajo po udhëtonte me motor së bashku me një shokun e saj, kur janë rrëzuar. Gjatë incidentit, vajzës i ka rënë telefoni në tokë dhe është larguar nga vendngjarja pa e kuptuar se nuk e kishte më me vete.
Vetëm pesë minuta më vonë, kur ka konstatuar mungesën e telefonit, është kthyer për ta kërkuar, por pajisja nuk ndodhej më aty.
Vajza ka siguruar pamjet filmike nga një biznes pranë vendit të ngjarjes, të cilat ia ka dërguar redaksisë. Në to shfaqet fillimisht momenti i rrëzimit dhe më pas një person që afrohet dhe merr telefonin e lënë në tokë.
Sipas denoncueses, kur ajo është kthyer bashkë me shokun për të kërkuar telefonin, personi që e kishte marrë e ka kuptuar se ata po kërkonin pajisjen dhe është larguar prej aty, ndërsa telefonin e kishte futur në xhep.
Ajo thotë se telefoni përmban shumë të dhëna dhe materiale të rëndësishme për të, ndaj kërkon ndihmën e qytetarëve për ta gjetur dhe rikthyer.
JOQ Albania publikon pamjet për të ndihmuar në identifikimin e personit që shfaqet në video dhe për t'i dhënë mundësi vajzës të rimarrë telefonin e saj.