Rikthimi i Ronaldinhos në fushën e futbollit ka shkaktuar një interesim të jashtëzakonshëm, duke i sjellë klubit italian Ravenna të ardhura prej 199 mijë eurosh vetëm nga shitja e biletave.
Ndeshja ndaj Forlì, e zhvilluar në kuadër të Serie C, u shndërrua në një ngjarje me jehonë ndërkombëtare, pasi legjenda braziliane u rikthye në fushë në moshën 46-vjeçare.
Interesimi ishte aq i madh sa stadiumi “Stadio Benelli” u shit plotësisht, ndërsa për këtë rast të veçantë kapaciteti i tij u zgjerua përmes vendosjes së një tribune të përkohshme, të pagëzuar me emrin “Tribuna R10”, në nder të ish-yllit të Barcelonës dhe Milanit.
Sipas informacionit të bërë publik nga zyra për media e Ravennas për “Football Italia”, klubi arkëtoi plot 199 mijë euro nga 6.743 tifozët që ishin të pranishëm në stadium.
Për këtë ndeshje speciale, çmimet e biletave ishin më të larta se zakonisht.
Në sektorin e mikpritjes, një biletë kushtonte deri në 150 euro, ndërsa për tifozët me abonime sezonale çmimet nisnin nga 15 euro.
Fëmijët nën moshën 14-vjeçare mund të ndiqnin ndeshjen për vetëm 10 euro.
Përveç interesimit në stadium, përballja pati edhe jehonë të madhe ndërkombëtare, duke u transmetuar drejtpërdrejt në shumë vende të botës.
Një vëmendje e tillë është e pazakontë për një klub që garon në kategorinë e tretë të futbollit italian.












