KLSH zbulon shkeljet në Fier/ Baçi: Subashi sfidon ligjin, bashkia zhytet në korrupsion dhe nepotizëm

KLSH zbulon shkeljet në Fier/ Baçi: Subashi sfidon ligjin, bashkia zhytet në korrupsion dhe nepotizëm

08:45, 17/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në një lidhje Skype në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, deputeti i Partisë Demokratike në Fier, Luan Baçi, ka denoncuar abuzimet me fondet publike, shkeljet e përsëritura dhe nepotizmin në Bashkinë e Fierit, duke akuzuar kryebashkiakun Armando Subashi për moszbatimin e rekomandimeve të KLSH-së.

Baçi u ndal te raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe skandali i parkimit qendror, për të cilin tha se është nën hetim nga prokuroria, ndërsa akuzoi drejtuesit e bashkisë se i trajtojnë taksat e qytetarëve si para private.

Deputeti demokrat foli gjithashtu për presionin ndaj bizneseve fierake, duke deklaruar se subjektet që mbështesin Partinë Socialiste favorizohen, ndërsa bizneset që nuk janë pranë Rilindjes përballen me kontrolle dhe detyrime tatimore të vendosura sipas interesave të punonjësve të bashkisë dhe jo sipas ligjit.

Baçi tha se Bashkia e Fierit është kthyer në një institucion ku qytetarët nuk gjejnë zgjidhje për problemet e tyre, ndërsa pushteti vendor përdoret për interesa politike dhe klienteliste.

Pjesë nga intervista:

Asgjë e re nuk ka ndodhur në Fier. Ky raport i KLSH-së është i përvitshëm ose bëhet një herë në dy vjet dhe përsëritet e njëjta situatë. Përveçse shkeljet janë të përsëritshme, janë të rënda, vjedhje dhe abuzime, kemi edhe pjesën tjetër, ku bashkia, me kokëfortësinë e saj, nuk zbaton as rekomandimet që lë KLSH-ja për masat disiplinore. Madje, më lejoni të them që KLSH-ja është treguar shumë tolerante me Bashkinë Fier dhe me kryetarin e saj, duke lënë rekomandime në dorë të kryetarit për masat që duhet të marrë dhe zgjedhjen e përgjegjësive për çdo drejtori për shkeljet.

Por, në fakt, Bashkia e Fierit dhe kryetari jo vetëm që nuk mbledhin Këshillin Bashkiak për raportime, zgjedhjen e përgjegjësive dhe masat disiplinore, por as nuk raportojnë te KLSH-ja për detyrat e lëna nga KLSH-ja, aq më tepër pastaj të nxjerrin përgjegjësi individuale për personat përgjegjës.

Duke mos lënë pas dore dhe pa përmendur këtu edhe skandalin e parkimit kryesor të qytetit, në qendër, ku çështja është në ndjekje nga prokuroria, në ndjekje penale, ku akoma nuk kemi konkretisht, por dihet që kanë ndodhur vjedhje dhe abuzime shumë të dukshme.

Madje, do të thoja vjedhje ordinere, duke e lënë parkimin në duart e disa punonjësve dhe duke i përdorur paratë, madje duke ia lënë në dorë firmës që ka investuar dhe ka ndërtuar parkimin që të merrte aq para sa i duheshin, detyrim që ia kishte bashkia për t'ia dhënë. Pra, e konsiderojnë bashkinë si një ndërmarrje private, si një firmë private, si biznes privat, ku pronari i saj, Armando Çullbashi, dhe pjesa tjetër që e rrethon aty mund të bëjnë çfarë të duan me taksat e qytetarëve fierakë.

Bashkia e Fierit ka kohë, në fakt, që është kthyer në një vatër korrupsioni. Bashkia e Fierit është një institucion ku nepotizmi ka zënë vend si në asnjë institucion tjetër. Bashkia e Fierit është një institucion ku qytetarët nuk kanë gjetur zgjidhje për problemet dhe hallet e tyre. Bashkia e Fierit është një institucion ku bizneset e qytetit të Fierit janë në terror të plotë nga Bashkia e Fierit dhe institucionet e Policisë Bashkiake, të Drejtorisë së Tatim-Taksave, ku të gjitha detyrimet tatimore vendosen jo sipas ligjit, por sipas oreksit që kanë punonjësit e bashkisë.

Kanë një ndarje midis bizneseve: cilat janë bizneset pro bashkisë, pro Partisë së Rilindjes, dhe bizneset që goditen herë pas here, sepse janë biznese që nuk marrin pjesë në aktivitetet e Partisë Socialiste apo nuk janë votues të tyre, të cilët i kanë të evidentuar një për një.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco