Kosova do ta zhvillojë sonte, në orën 20:45, ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, ku përballë do të ketë Republikën e Irlandës.
Lista e futbollistëve të përfaqësueses për këtë takim është publikuar nga UEFA. Përzgjedhësi Franco Foda mund të llogarisë në 21 prej lojtarëve të grumbulluar gjatë këtij cikli.
Të lidhura
None found
Megjithatë, “Dardanët” do të paraqiten me tri mungesa në këtë sfidë të rëndësishme.
Veldin Hoxha do ta humbasë ndeshjen për shkak të kartonit të kuq që mori në përballjen e kaluar kundër Izraelit. Ndërkohë, Edon Zhegrova është larguar nga grumbullimi për shkak të një lëndimi dhe nuk ka udhëtuar drejt Irlandës.
Edhe sulmuesi i ri Enis Rexhepi nuk do të jetë pjesë e ekipit, pasi dokumentacioni për ndryshimin e përfaqësueses në FIFA ende nuk është përfunduar.
Për rrjedhojë, Foda do të duhet ta përgatisë skuadrën pa këta tre futbollistë në një ndeshje me peshë të veçantë për objektivin e Kosovës.
Kosovës i mjafton një rezultat që shmang humbjen për ta mbyllur grupin në vendin e dytë dhe për të siguruar një biletë në “play-off”-in për promovim në Ligën A.
Lista e plotë e futbollistëve:
Portierë: Arijanet Muric, Visar Bekaj, Amir Shaipi.
Mbrojtës: Lindrit Kamberi, Kreshnik Hajrizi, Ilir Krasniqi, Ron Raçi, Dion Gallapeni, Mërgim Vojvoda, Bleon Kurtulus.
Mesfushorë: Elvis Rexhbecaj, Milot Rashica, Betim Fazliji, Dion Kaçuri, Lindon Emërllahu, Milot Avdyli, Leon Avdullahu.
Sulmues: Albion Rrahmani, Fisnik Asllani, Baton Zabërgja, Vedat Muriqi.






