
Forcat ruse kanë goditur dy ura kryesore në kryeqytetin ukrainas, Kiev, gjatë sulmeve të natës së të hënës, duke dëmtuar infrastrukturën kritike dhe shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë dhe ngrohje në disa zona të qytetit, përcjell Euronews.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi përmes një reagimi në Telegram se, sipas informacioneve paraprake, goditjet kishin prekur urën Veriore dhe atë Jugore, të cilat kalojnë mbi lumin Dniepër.
Në një njoftim të mëvonshëm, ai bëri të ditur se sulmi kishte dëmtuar edhe sisteme të infrastrukturës kritike, duke ndikuar në furnizimin me ujë dhe ngrohje në disa lagje të kryeqytetit.
Sulmet ndodhën pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, kishte paralajmëruar për goditje të mundshme ruse gjatë ditëve në vijim. Paralajmërimi u bë në të njëjtën kohë kur përfaqësues të Ukrainës, SHBA-së dhe vendeve evropiane po zhvillonin bisedime për hapat e ardhshëm drejt negociatave me Rusinë.
Ndërkohë, Ukraina ka sulmuar për të dytën ditë radhazi urën që lidh gadishullin e aneksuar të Krimesë me territorin rus. Guvernatori i Krimesë i emëruar nga Moska, Sergey Aksyonov, njoftoi se qarkullimi në këtë urë ishte pezulluar.
Kryebashkiaku i Moskës, Sergey Sobyanin, deklaroi gjithashtu se mbrojtja ajrore kishte zmbrapsur 20 dronë që po i drejtoheshin kryeqytetit rus.
Në zhvillime të tjera, Zelenskyy tha se Rusia po merr dhjetëra raketa balistike në muaj nga Koreja e Veriut dhe u bëri thirrje aleatëve evropianë të furnizojnë Ukrainën me më shumë armë për t’iu përgjigjur kërcënimit.
Presidenti ukrainas bëri të ditur se në bisedimet e fundit me përfaqësuesit amerikanë dhe evropianë ishte diskutuar edhe mundësia e krijimit të një rruge për kontakte të drejtpërdrejta mes Kievit dhe Moskës. Në këto takime morën pjesë përfaqësues të Francës, Britanisë, Gjermanisë, Polonisë, Italisë, Bashkimit Evropian dhe NATO-s.