SHBA shtrëngon kontrollet mbi çipat AI, kufizon aksesin e Kinës përmes qendrave të të dhënave

Administrata amerikane ka vendosur kufizime të reja për eksportin e çipave të avancuar të inteligjencës artificiale, duke synuar të pengojë kompanitë kineze të sigurojnë kapacitete kompjuterike përmes qendrave të të dhënave në vende të treta. Rregullat e reja, të shpallura nga Departamenti i Tregtisë, shtrijnë kontrollet amerikane edhe mbi aksesin në distancë ndaj teknologjisë së avancuar, në një kohë kur Uashingtoni po shton presionin për të kufizuar përdorimin e teknologjisë amerikane nga Kina.
Masa parashikon që eksportet e çipave të avancuar drejt qendrave të të dhënave në Singapor, Tajlandë, Malajzi, Indonezi dhe Brazil të kërkojnë licencë nga autoritetet amerikane. Këto vende janë identifikuar si destinacione ku ekziston rreziku që pajisjet të devijohen drejt kompanive kineze. Kufizimet nuk do të zbatohen për kompanitë amerikane që operojnë qendra të të dhënave në këto vende.
Gjithashtu, qendrat e të dhënave jashtë SHBA-së që ofrojnë kapacitete të konsiderueshme kompjuterike për kompani me seli në Kinë do të duhet të pajisen me licenca amerikane brenda 90 ditëve, në mënyrë që të vijojnë ofrimin e shërbimeve. Rregullat parashikojnë përjashtime për disa sisteme të përdorura nga kompanitë e tregtisë online dhe rrjetet sociale, të cilat autoritetet amerikane nuk i konsiderojnë të njëjtin rrezik për sigurinë kombëtare.
Sipas Reuters, vendimi vjen pas shqyrtimit të mënyrave përmes të cilave kompanitë kineze kanë përdorur infrastrukturën kompjuterike në vende të tjera për të aksesuar çipa të avancuar, pavarësisht kufizimeve amerikane mbi eksportet e drejtpërdrejta. Një nga rastet nën hetim është ai i kompanisë së qendrave të të dhënave Megaspeed, me bazë në Singapor, për të cilën autoritetet amerikane kanë nisur hetime që në vitin 2024 për shkelje të mundshme të kontrolleve të eksportit. Nvidia e kishte përfshirë kompaninë në listën e subjekteve të cilave nuk u shet produkte në qershor 2025.
Rregullorja e re shfuqizon gjithashtu një mekanizëm të miratuar gjatë administratës Biden, i cili kufizonte aksesin global në çipat e inteligjencës artificiale përmes kërkesave të licencimit. Departamenti i Tregtisë kishte njoftuar më herët se nuk do ta zbatonte atë rregull, por zëvendësimi i tij u formalizua vetëm tani.
Vendimi publikohet në prag të takimit të planifikuar të presidentit amerikan Donald Trump me homologun kinez Xi Jinping, të enjten në Shenzhen, në kuadër të vizitës së Trump në Azi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









