
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka firmosur urdhrin për uljen e tarifave të pajisjes me pasaporta dhe karta identiteti për fëmijët nën 16 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe qytetarët mbi 65 vjeç. Vendimi do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.
Sipas masës së re, tarifa e pasaportës për fëmijët nën 16 vjeç do të ulet nga 7 500 në 6 000 lekë.
Për personat me aftësi të kufizuara, karta e identitetit do të kushtojë 1 000 lekë, nga 1 500 lekë që është aktualisht, ndërsa tarifa e pasaportës do të ulet në 6 000 lekë.
Edhe për qytetarët mbi 65 vjeç, tarifa e kartës së identitetit do të ulet nga 1 500 në 1 000 lekë.
Kreu i Ministrisë së Brendshme e cilësoi vendimin si përmbushje të një angazhimi të bërë më herët, gjatë një daljeje publike më 2 tetor. Sipas tij, lehtësimi i kostove për qytetarët duhet të shoqërohet edhe me përmirësimin e shërbimeve publike.
“Për shumë familje, çdo shpenzim ka rëndësi. Prandaj është detyra jonë t’ua lehtësojmë marrjen e shërbimeve publike. Por dua të jem i qartë: qytetarët duhet të paguajnë më pak dhe të shërbehen më mirë!”, u shpreh Demo.
Ai theksoi se ulja e tarifave është pjesë e një angazhimi më të gjerë për shërbime më të shpejta, më pak burokraci dhe më shumë kujdes ndaj qytetarëve, duke deklaruar se do të ndjekë personalisht zbatimin e vendimit.
“Nuk mund t’i kërkojmë qytetarit të kuptojë vështirësitë e institucionit, nëse institucioni nuk kupton vështirësitë e qytetarit. Më pak kosto, më pak pritje dhe më shumë respekt për qytetarin!”, deklaroi ministri.