Në rigjykimin për vrasjen në Dumnicë të Podujevës, Besnik Salihu dënohet me 24 vjet burgim
Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykim ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Besnik Salihut duke e dënuar me dënim unik prej 24 vjet burgim lidhur me vrasjen e S.S., kurse vëllain e tij, Ilaz Salihu e liroi nga akuza.
Aktakuza ngarkonte Besnik Salihun për vrasjen e S.S., në mars të 2023-ës në Dumnicë të Podujevës dhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa Ilaz Salihun për ndihmë në kryerjen e vrasjes, raporton “Betimi për Drejësi”.
Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi dhe anëtarët Gazmend Bahtiri dhe Gent Beka.
Besnik Salihu u shpall fajtor për veprën penale “Vrasja” dhe u dënua me 23 vjet burgim, si dhe për armëmbajtje pa leje ku u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik me 24 vjet burgim.
Kurse, Ilaz Salihu u lirua nga akuza për ndihmë në vrasje, pasi nuk u provua se ka kryer veprën që i vihej në barrë.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 11 shkurt 2026 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Besnik Salihut duke e dënuar me dënim unik prej 25 vjet burgim për rastin e vrasjes së S.S., pasi iu rikualifikua vepra penale nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje” dhe për armëmbajtje pa leje. Kurse, vëllai i tij, Ilaz Salihu u lirua nga akuza. Por, Gjykata e Apelit me vendimin e datës 23 qershor 2026, anuloi aktgjykimin e shkallës së parë dhe e ktheu rastin në rigjykim.
Sipas aktakuzës, më 26 mars 2023, rreth orës 18:08 minuta, në fshatin Dumincë e Epërme, Komuna e Podujevës, pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit Besnik Salihu dhe tani të ndjerit S.S., i akuzuari në mënyrë dinake dhe papritur iu afrua të ndjerit S.S. me qëllim që t’i merrte jetën.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari kishte shtënë me armë zjarri, duke qëlluar dy herë në kokë tani të ndjerin S.S- një herë me pistoletë në anën e majtë të kokës dhe një herë me armë të gjatë nën mjekër, duke i shkaktuar gjakderdhje masive të jashtme trunore, dhe për shkak të plagëve të marra nga predhat e shkrepura në kokë, tani i ndjeri S.S., ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ku më pas i akuzuari Besnik largohet nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime, i pandehuri Besnik Salihu akuzohej ka kryer veprën penale të “Vrasjes e rëndë”, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 14 e KPRK-së.
Tutje, në aktakuzë thotë se i pandehuri Besnik, në datën, kohën dhe vendin e përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin për armët, ka poseduar një revole dhe një armë të gjatë, me të cilën ka kryer veprën penale të përmendur si më lart.
I njëjti ngarkohet edhe për kryerjen veprën penale “Mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 366, paragrafi 1 të KPRK-së.
Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Ilaz Salihu, në vendin, kohën dhe mënyrën e përshkruar në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, me dashje ndihmoi vëllain e tij, të akuzuarin Besnik, duke i premtuar se do të fshehë provat e kryerjes së veprës penale.
Me këtë, i pandehuri Ilaz Salihu akuzohej ka kryer veprën penale të “Ndihmës në vrasjen e rëndë”, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 14, lidhur me nenin 3 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi















