Aksidenti fatal i mori jetën, mbahen sot homazhet për Shefin e Krimeve, Ermal Lulaj
Homazhet në nderim të efektivit të Policisë së Shtetit, Ermal Lulaj, i cili humbi jetën në aksidentin tragjik të ndodhur pasditen e së hënës në aksin Fier-Vlorë, do të zhvillohen ditën e sotme në qytetin e Fierit.
Ceremonia përkujtimore do të mbahet nga ora 11:00 deri në 12:00, në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku kolegë, familjarë dhe të afërm do të kenë mundësinë të nderojnë për herë të fundit kujtimin e 41-vjeçarit.
Ermal Lulaj ushtronte detyrën e Shefit të Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë. Ai humbi jetën pas një përplasjeje të rëndë rrugore, e cila ndodhi rreth orës 18:00, teksa udhëtonte me automjetin e tij tip “Toyota” në drejtim të Vlorës.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se kushtet e vështira atmosferike dhe humbja e kontrollit mbi automjetin kanë çuar në përplasjen me një mjet të rëndë tip skrep, që drejtohej nga 63-vjeçari Thanas Poçaj.
Goditja rezultoi fatale për efektivin 41-vjeçar, i cili ndërroi jetë në vendin e aksidentit. Ndërkohë, drejtuesi i skrepit mbeti i plagosur dhe u transportua në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në këtë aksident tragjik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



