Forcat e policisë turke kanë bastisur gjatë orëve të para të mëngjesit ambientet e televizionit opozitar Sozcu TV në Stamboll, në zbatim të një urdhri gjykate.
Gjatë ndërhyrjes janë kryer arrestime, ndërsa administrimi i grupit mediatik i është kaluar një administratori të emëruar nga autoritetet.
Operacioni u bë publik nga vetë grupi mediatik, i cili njoftoi përmes një postimi në platformën X, pak para orës 05:00 me orën lokale, se policia kishte hyrë në ndërtesë dhe kishte kufizuar aksesin në ambientet e saj.
“Policia kontrolloi ndërtesën SÖZCÜ pas një urdhri gjykate. Policia e ka mbyllur ndërtesën”, thuhej në njoftimin e publikuar nga media.
Në një reagim të mëvonshëm, grupi konfirmoi se ishte vendosur nën administrim gjyqësor dhe se operacioni ishte shoqëruar me arrestime.
Megjithatë, ende nuk ka informacione të plota lidhur me numrin e personave të arrestuar, identitetin e tyre apo akuzat mbi të cilat është mbështetur ndërhyrja.
Ndërhyrja vjen pas një operacioni të ngjashëm ndaj Halk TV
Bastisja e Sozcu TV ndodh rreth një muaj pas një operacioni të ngjashëm në selinë e televizionit Halk TV, një tjetër media e njohur për qëndrimet kritike ndaj qeverisë turke.
06:00 itibarıyla sözcü televizyonu’nun önü. haber merkezine girmemize müsaade edilmiyor. pic.twitter.com/UTGCbtWLjO
— Sezin Ceren Övüç (@sezincerenovuc) November 17, 2026
Gjatë asaj ndërhyrjeje, autoritetet pezulluan transmetimet, vendosën një administrator në drejtimin e televizionit dhe arrestuan 11 punonjës.
Këto zhvillime vijnë në një klimë tensionesh të vazhdueshme mes autoriteteve turke dhe mediave opozitare, ndërsa masa ligjore dhe hetime janë ndërmarrë edhe ndaj përfaqësuesve të politikës dhe organizatave sindikale.
Në vitet e fundit, gazetarë dhe përfaqësues të mediave kritike në Turqi janë përballur me procedime gjyqësore për akuza që përfshijnë shpifjen, fyerjen, korrupsionin dhe përhapjen e informacioneve të rreme.
Ndërhyrja e fundit në Sozcu TV ka rikthyer në vëmendje debatin mbi lirinë e shtypit dhe pavarësinë e mediave në Turqi, ndërsa mbeten të paqarta arsyet konkrete të operacionit dhe pasojat e tij për veprimtarinë e televizionit.













