Aktualitet

Shkodër, dëmtohet ura në Shalë/Rrëshqitje dherash në Fushë-Arrëz nga shirat!

Reshjet e fundit kanë shkaktuar problematika në Qarkun Shkodër, ku është dëmtuar një urë në zonën e Shalës dhe pati rënie gurësh e rrëshqitje dherash në disa rrugë rurale të Fushë-Arrëzit.

Njoftimi i plotë:

Situata në territorin e Qarkut Shkodër paraqitet përgjithësisht e qëndrueshme, pavarësisht reshjeve të shiut gjatë orëve të fundit. Në Bashkinë Shkodër, si pasojë e rritjes së prurjeve të përrenjve, është dëmtuar ura në Grykën e Nërshqemit, në fshatin Breg Lumi, Njësia Administrative Shalë.

Në Bashkinë Fushë-Arrëz janë evidentuar rënie gurësh dhe rrëshqitje dherash në disa akse rurale. Strukturat përgjegjëse janë angazhuar për pastrimin dhe normalizimin e qarkullimit. Në bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës nuk raportohen problematika.

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 65 mm reshje shiu. Nivelet e lumit Drin dhe të liqenit mbeten nën kuotat e riskut, ndërsa hidrovorët janë funksionalë dhe në gatishmëri.

Prefektura e Qarkut Shkodër vijon monitorimin e pandërprerë të situatës dhe koordinimin me bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, me prioritet sigurinë e qytetarëve dhe ndërhyrjen në kohë ndaj çdo problematike. U bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në zonat malore dhe akset ku janë evidentuar rrëshqitje dherash.