Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë pretencën për dy efektivët e Policisë, të akuzuar për korrupsion në zonën e Orikumit, në Vlorë. Sipas hetimeve, ata dyshohet se kanë marrë 2.7 milionë lekë të vjetra nga qytetari Everest Bashaj, në këmbim të mosarrestimit të tij.
Prokurori Elvin Gokaj ka kërkuar dënimin me nga 2 vite burg për ish-shefin e Krimeve, Daniel Liskendaj, dhe specialistin e zonës së Policimit në Komunitet, Afrim Ferraj.
Gjithashtu, për të dy efektivët është kërkuar heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 3-vjeçare.
Ndërkohë, për qytetarin Everest Bashaj, i cili akuzohet se ka dhënë shumën e parave, prokuroria ka kërkuar dënimin me 8 muaj burg.
Sipas akuzës, dy efektivët kanë përfituar shumën prej 2.7 milionë lekësh të vjetra me qëllim shmangien e arrestimit të Bashajt.
Tashmë pritet që Gjykata të shqyrtojë kërkesat e SPAK dhe të japë vendimin përfundimtar për tre të pandehurit. Deri në shpalljen e vendimit, ata prezumohen të pafajshëm.














