
Gjykata Speciale në Hagë shpall sot aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Hajredin Kuçit dhe Fadil Fazliut, të akuzuar për vepra që lidhen me pengimin e drejtësisë. Prokuroria i akuzon për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitarët e procesit gjyqësor për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Thaçi, i dënuar në shkallë të parë me 25 vjet burgim për krime lufte, përballet me mundësinë e një dënimi tjetër, pasi Prokuroria ka kërkuar edhe gjashtë vjet heqje lirie për pengim të drejtësisë.
Gjyqtari Christopher Gosnell tha se Hashim Thaçi dhe Bashkim Smakaj akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre. Thaçi akuzohet gjithashtu për zbulim të informacioneve konfidenciale, ndërsa Smakaj për ndihmë në kryerjen e veprës së mosbindjes ndaj gjykatës. Gjatë leximit të përmbledhjes së aktgjykimit, Gosnell iu referua një bisede mes Thaçit dhe Smakajt për dëshmitarin Bislim Zyrapi. “Mos e përziej, mos e përziej… Çfarë qeverie e përkohshme? Çfarë shërbimi inteligjent, bre?… Komandantët, komandantët”, citoi gjyqtari fjalët e Thaçit. “Ata kanë dalë jashtë, ashtu janë edhe letrat. Thuaji mos e ngatërro, o burrë”, ishte një tjetër pjesë e bisedës së cituar nga gjyqtari.
Gjyqi po vazhdon në Hagë.