Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 1 vit e 5 muaj burgim nga Gjykata Speciale në Hagë, në kuadër të procesit gjyqësor për pengim të drejtësisë.
Gjatë shpalljes së përmbledhjes së aktgjykimit, gjykatësi Christopher Gosnell deklaroi se, sipas aktakuzës, Thaçi kishte organizuar tri grupe, në të cilat përfshiheshin Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj, gjatë vizitave të tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Për këtë çështje, gjykata shqiptoi edhe dënime për të akuzuarit e tjerë. Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u dënuan me nga 12 muaj burgim, por të dy do të lirohen pas përfundimit të seancës, pasi koha e kaluar në paraburgim ua mbulon dënimin.
Ndërkohë, Isni Kilaj u shpall i pafajshëm për akuzat ndaj tij, ndërsa gjykatësi urdhëroi lirimin e menjëhershëm pas përfundimit të seancës.
Hajredin Kuçit iu shqiptua një muaj burgim me kusht. Ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale gjatë periudhës njëvjeçare të provës.
Sipas gjykatësit, gjatë këtij procesi gjyqësor janë administruar 241 prova materiale të paraqitura nga Prokuroria.
Në mesin e provave të shqyrtuara janë edhe audioincizimet e bisedave ndërmjet Hashim Thaçit dhe të bashkakuzuarve të tij gjatë vizitave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Ky vendim shënon një tjetër goditje të rëndë ndaj Thaçit, i cili u dënua me 25 vjet burg, më 16 shtator në Hagë.














