Gosnell: Thaçi dyshohet se kishte organizuar tri grupe për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur shpallja e aktgjykimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe rendit publik.
Gjatë paraqitjes së përmbledhjes së aktgjykimit, gjyqtari Christopher Gosnell ka shpjeguar natyrën e akuzave dhe veprimet që Prokuroria pretendon se janë ndërmarrë nga të akuzuarit në kuadër të një procesi tjetër gjyqësor, në të cilin Hashim Thaçi ishte i pandehur.
Sipas pretendimeve të paraqitura në gjykatë, Thaçi dyshohet se kishte organizuar tri grupe me Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Isni Kilajn, gjatë vizitave të tyre në objektin e paraburgimit në Hagë, në korrik, shtator dhe tetor të vitit 2023.
Sipas gjyqtarit Gosnell, qëllimi i këtyre grupeve, siç pretendohet nga Prokuroria, ishte përcjellja e udhëzimeve te dëshmitarët e Prokurorisë, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e tyre dhe për të penguar përgatitjen dhe paraqitjen e tyre para gjykatës.
“Akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe rendit publik në kuadër të një gjykimi tjetër në këtë gjykatë, e njohur ndryshe si çështja gjashtë, ku zoti Thaçi ishte i pandehur. Secili prej të akuzuarve, me përjashtim të zotit Kuçi, akuzohet mbi bazën e nenit 402 të Kodit Penal të Kosovës për tentativë për pengim, nëpërmjet një veprimi të përbashkët të një grupi personash zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Pretendohet se pengimi është tentuar të kryhet me mosbindje ndaj urdhrave të gjykatës, që u ndalonin të akuzuarve në atë çështje gjyqësore dhe ekipeve të mbrojtjes të kontaktonin dëshmitarët e Prokurorisë. Më konkretisht, pretendohet se zoti Thaçi organizoi tri grupe me zotërinjtë Fazliu, Smakaj dhe Kilaj gjatë vizitave të ndryshme tek ai në objektin e paraburgimit, në korrik, shtator dhe tetor të vitit 2023. Secili grup duhej t’i përcillte udhëzime një dëshmitari të Prokurorisë, të cilat do të pengonin aftësinë e Prokurorisë për t’i përgatitur dhe paraqitur këta dëshmitarë për të vlerësuar dëshminë e tyre. Duke qenë se personat që ishin shënjestër e pengimit përfshinin gjyqtarë dhe prokurorë, paraqitet forma e rëndë e akuzës për vepër penale sipas nenit 401.5 të Kodit Penal të Kosovës”, tha ai.
Thaçi akuzohet gjithashtu se gjatë këtyre kontakteve u kishte zbuluar vizitorëve informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët, përfshirë të dhëna për një dëshmitar të mbrojtur, duke shkelur kështu fshehtësinë e procedurës gjyqësore.
Ndërkaq, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj akuzohen për pjesëmarrje në veprimet e përbashkëta, duke ndihmuar dhe duke u pajtuar për përcjelljen e udhëzimeve të Thaçit te dëshmitarët e Prokurorisë.
Në këtë proces, akuza të veçanta rëndojnë edhe mbi ish-ministrin Hajredin Kuçi. Sipas përmbledhjes së paraqitur nga gjyqtari, Kuçi akuzohet se më 12 prill 2023 i kishte përcjellë një mesazh një dëshmitari të Prokurorisë, në kundërshtim me një urdhër të gjykatës.
“Zoti Thaçi akuzohet si drejtues ose organizator i secilit grup. Zoti Thaçi pretendohet se u zbuloi vizitorëve të tij informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarët, duke shkelur fshehtësinë e procedurës. Disa nga informacionet që u nxorën kishin të bënin me një dëshmitar të mbrojtur. Për dëshmitarin katër, për të cilin Thaçi akuzohet se nxori informacion ose u përpoq të komunikonte tërthorazi me dëshmitarët e Prokurorisë përmes vizitorëve të tij, Thaçi akuzohet edhe për mosbindje ndaj gjykatës. Zotërinjtë Fazliu, Smakaj dhe Kilaj akuzohen për pjesëmarrje në veprimin e përbashkët të një grupi për të penguar persona zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, duke ua përcjellë udhëzimet e zotit Thaçi dëshmitarëve. Ata ndihmuan dhe ranë në marrëveshje për këto veprime. Zoti Kuçi, i cili në periudhën përkatëse ishte anëtar i ekipit të mbrojtjes së një të akuzuari tjetër në çështjen gjashtë, akuzohet për mosbindje ndaj gjykatës, pasi i përcolli një mesazh një dëshmitari të Prokurorisë më 12 prill 2023, në shkelje të urdhrit të Gjykatës. Së dyti, u pajtua gjatë një vizite të privilegjuar në shtator të vitit 2023 që t'u përcillte udhëzime tre dëshmitarëve të Prokurorisë”, tha ai.
Sipas pretendimeve të paraqitura nga gjyqtari Christopher Gosnell gjatë shpalljes së aktgjykimit, Hashim Thaçi dyshohet se kishte tentuar të ndikonte edhe në përmbajtjen dhe mënyrën e dhënies së dëshmisë së Rrustem Mustafës.
Gosnell tha se Thaçi e konsideronte dëshminë e Mustafës si vendimtare dhe se, përmes Fadil Fazliut, kishte përcjellë disa mesazhe që lidhen me formën dhe përmbajtjen e dëshmisë që pritej të jepej.
“Diskutojnë gjerësisht dëshminë që pritej të jepte Rrustem Mustafa. Zoti Thaçi e konsideronte vendimtare Mustafën dhe i jepte zotit Fazliu një sërë mesazhesh në lidhje me formën dhe përmbajtjen e dëshmisë së tij. Këto mesazhe përfshijnë, citojmë: ‘Shkurt, shkurt, mos filozofo. Thuaj: Kam besim në ty shumë dhe presim me padurim që ti të shkosh dhe je vendimtar që ti ia futë”, tha ai.
Gjatë paraqitjes së përmbledhjes së aktgjykimit, gjyqtari Christopher Gosnell ka paraqitur edhe qëndrimet e mbrojtjes lidhur me provat e Prokurorisë, konkretisht audio-incizimet dhe transkriptimin e tyre.
Sipas Gosnellit, mbrojtja i kishte kundërshtuar fuqimisht transkriptimet dhe përkthimet e këtyre audio-incizimeve, duke vënë në pikëpyetje saktësinë dhe besueshmërinë e tyre.
“Mbrojtja kundërshton fuqimisht mbështetjen në transkriptimin dhe përkthimin e këtyre audio-incizimeve. Mbrojtja paraqiti prova nga një ekspert gjyqësor forenzik, i cili tha se cilësia e audio-incizimeve ishte e ulët dhe se mbrojtja nuk mundi të evidentonte gabime thelbësore në transkriptimin e tyre.Qëndrimi i mbrojtjes dhe i ekspertit ishte se audio-incizimet duhet të transkriptoheshin nga e para, nga transkriptues neutralë”, tha ai.





























