Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë akuzuar Rusinë se po zvarrit negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë, ndërsa vijon sulmet ndaj centraleve elektrike dhe infrastrukturës jetike të vendit, në prag të dimrit.
Në një takim të zhvilluar të hënën në Bruksel, përfaqësuesit e vendeve të BE-së theksuan se përparësi duhet të jetë arritja e një armëpushimi dhe më pas një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, deklaroi se aktualisht nuk ka asnjë shenjë armëpushimi dhe se Rusia po vazhdon të dobësojë Ukrainën përmes sulmeve të përditshme.
“Ne nuk kemi armëpushim dhe ata vazhdojnë ta dobësojnë Ukrainën dhe të vrasin njerëz çdo ditë”, u shpreh Kallas.
Ministrat evropianë kundërshtuan gjithashtu propozimin e Moskës për krijimin e një arkitekture të re sigurie në Evropë, duke e konsideruar atë si një përpjekje që mund të dobësojë NATO-n dhe të zhvendosë vëmendjen nga përfundimi i luftës.
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Kęstutis Budrys, paralajmëroi se diskutimet për një marrëveshje të re sigurie me Rusinë, pa arritur më parë armëpushimin, mund t’i japin Moskës përfitime të mëtejshme.
Edhe ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, theksoi se Evropa nuk ka nevojë për një arkitekturë të re sigurie, por për respektimin e marrëveshjeve dhe mekanizmave ekzistues.
BE vendos sanksione të reja ndaj Rusisë
Në të njëjtën mbledhje, Bashkimi Evropian miratoi masa të reja ndëshkuese ndaj Rusisë, që përfshijnë 145 emërtime të reja në listat e sanksioneve.
Masat prekin rreth 50 banka dhe institucione financiare ruse, persona të lidhur me sektorin energjetik dhe tregtinë e naftës, si dhe individë të akuzuar për përhapjen e propagandës dhe dezinformimit pro-rus.
Ndërkohë, negociatat e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, ku janë përfshirë Jared Kushner dhe Steve Witkoff, nuk kanë prodhuar ende një armëpushim të qëndrueshëm. Mosmarrëveshjet kryesore mbeten kontrolli i territoreve dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Për përfaqësimin evropian në negociatat e ardhshme është rënë dakord që të përfshihen Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Polonia, së bashku me përfaqësues të institucioneve të BE-së.
Evropianët kanë bërë të qartë se çdo marrëveshje duhet të garantojë sovranitetin e Ukrainës dhe se vendimet për të ardhmen territoriale të vendit duhet të merren nga vetë autoritetet ukrainase.













