Rajoni

Hashim Thaçi dënohet me 17 muaj burg për pengim të drejtësisë!

Hashim Thaçi dënohet me 17 muaj burg për pengim të drejtësisë. Sot në Hagë, Gjykata Speciale e shpalli fajtor për disa pika të akuzës. Sa iu përket katër të tjerëve, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u dënuan me nga 12 muaj heqje lirie, Hajredin Kuçi me një muaj burgim me kusht dhe Isni Kilaj u shpall i pafajshëm.

Edhe Smakaj e Fazliu do të lirohen, pasi e kanë mbuluar dënimin me kohën e kaluar në paraburgim.

Te pengimi i drejtësisë, përfshihet tentativa për pengimin e personave zyrtarë, shkeljen e fshehtësisë së procedurës dhe mosbindjen ndaj gjykatës.

Prokuroria i akuzoi për përpjekje të paligjshme për të ndikuar te dëshmitarët e procesit gjyqësor për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Thaçit, të dënuar në shkallë të parë me 25 vjet burg për krime lufte, tashmë i shtohet dënimi me 17 muaj.

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e cilësoi “të turpshëm” dhe “të papranueshëm” vendimin. Çitaku shprehu zhgënjim, duke vënë në pikëpyetje administrimin e drejtësisë nga kjo gjykatë.

Kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë thelluar pikëpyetjet tona serioze për administrimin e drejtësisë të kësaj gjykate.

Çitaku paralajmëroi veprime politike, juridike dhe diplomatike në përgjigje të vendimit.

Padrejtësisë do t’i përgjigjemi ashtu siç e meriton: me qëndresë, mobilizim dhe përkushtim të palëkundur shtetëror e mbarëkombëtar.