Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka hedhur akuza të forta ndaj kreut të ri të SPAK, Klodian Braho, pas mos-dërgimit të një kërkese të re në Kuvend, për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
Komentet Bardhi i bëri gjatë një konference për mediat, teksa u pyet nga gazetarja e Report Tv Danjela Maloku lidhur me çështjen, pas dërgimit ditën e djeshme të dosjes ‘Balluku’ në Gjykatën e Posaçme.
Bardhi tha se Brahos duket se i intereson më shumë opinioni i Taulant Ballës dhe eksponentëve të tjerë të PS për çështjen, sesa opinioni i 5 anëtarëve të tjerë të Këshillit.
Ai shtoi se duke mos dërguar një kërkesë të re për arrestimin e Ballukut, SPAK nuk i ka hequr alibinë kryeministrit Edi Rama, i cili argumentonte sipas tij se akuza fillestare ka qenë e papërshtatshme për dhënie autorizimi për arrestimin e saj.
Në përfundim Bardhi akuzoi kreun e SPAK për hapjen e 3 çështjeve me fraksion për Ballukun, që sipas tij ka si qëllim mbylljen e hetimeve.
“Faktin që SPAK do të mbyllte në mënyrë gjysmake hetimet dhe do të çonte dosjen në gjykatë e kam paralajmëruar nga kjo sallë më herët. Ndaj Ballukut janë shtuar akuza shumë të rënda, ndoshta akuzat më të rënda ndaj ndonjë zyrtari të lartë publik, drejtuesi i SPAK kishte refuzuar dhe do të refuzonte që t’i ridrejtohej Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë të re për heqjen e imunitetit. S’e kisha imagjinuar kurrë që Braho dhe 2 prokurorët e çështjes do dilnin hapur për gazetarët dhe ta pranonin... Pse për Klodian Brahon vlen më shumë opinioni i profesor Taulant Ballës, Niko Peleshit, Bledi Çuçit sesa opinioni i 5 anëtarëve të tjerë të Këshillit? Po si mund të dalë një prokuror i republikës dhe të thotë ‘unë do ta lexoj ligjin me syzet e Ballës’. Po si mund të thotë një prokuror i republikës që ‘unë nuk do ta arrestoj Ballukun?’. Rama ka argumentuar se për veprën ‘shkelje e barazisë në tendera’ që rëndonte mbi Ballukun, ka qenë e papërshtatshme dhënia e autorizimit për arrestim. Po tani, pse nuk aktivizohet prokuroria? Ku ndodhet kutia e kuqe me euro që u kap në vilën e Ballukut? A u janë kthyer ato shqiptarëve? Kanë hapur 3 çështje me fraksion për Ballukun. Aeroporti i Vlorës ka një dëshmi publike. Se ky kreu i ri i SPAK është mjeshtër për ndarjen e çështjes në fraksione që më pas të mbyllë hetimet”, tha mes të tjerash Bardhi.
Lajm në përditësim...












Komente
Komento