Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu mbrëmjen e së hënës një stan blegtoral në fushën e Shtërmenit, në Njësinë Administrative Gostimë, Bashkia Cërrik. Për shuarjen e flakëve u angazhuan për 12 orë me radhë zjarrfikësit e Cërrikut, Elbasanit, Gramshit dhe Belshit.
Zjarri shpërtheu pas orës 17:00 dhe u përhap me shpejtësi në ambientet ku mbahej bari i thatë për ushqimin e bagëtive. Pas një operacioni të vështirë, i cili përfundoi në orën 05:30 të mëngjesit, u arrit të shmangeshin dëmet në njerëz dhe në gjënë e gjallë.
Megjithatë, flakët shkrumbuan bazat ushqimore të fermës së fermerit Endrit Pepa, i cili zotëron rreth 1000 krerë dele, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Ngjarja ka sjellë edhe reagimin e deputetit demokrat Blendi Himçi, i cili ka kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave, duke ngritur dyshime për zjarrvënie të qëllimshme. Ai i ka bërë thirrje Policisë dhe organeve hetimore të identifikojnë përgjegjësit, nëse kjo pistë konfirmohet, si dhe Bashkisë Cërrik të shqyrtojë mundësinë e mbështetjes financiare të fermerit përmes fondit të emergjencave.
Ndërkohë, vlerësimi kryesor pas kësaj ngjarjeje shkon për zjarrfikësit e katër bashkive, të cilët punuan pa ndërprerje gjatë gjithë natës për të neutralizuar flakët dhe për të mbrojtur jetën dhe gjënë e gjallë.
