140 politikanë të rinj bëhen sot pjesë e parlamentit të ri të Serbisë. Përfaqësuesit e Listës Studentore formojnë grupin më të madh parlamentar në parlamentin e ri, i cili ka gjithsej 250 vende, duke pasur kështu një shumicë të madhe. Partia nacionaliste e djathtë SNS e Aleksandar Vuçiqit, e cila ishte në pushtet deri më tani, fitoi 103 vende në parlament pas zgjedhjeve.
Pika e parë e rendit të ditës është verifikimi i mandateve nga një komision parlamentar prej tre anëtarësh. Më pas do të zgjidhet kryetari i ri i parlamentit. Se kush do ta marrë këtë post është këtë herë veçanërisht e rëndësishme. Pasi kryetari i ri i parlamentit do të ushtrojë njëkohësisht edhe detyrën e presidentit të përkohshëm të shtetit. Aleksandar Vuçiç është tërhequr nga posti i kreut të shtetit për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare. Për këtë arsye, deri në fund të vitit duhet të zhvillohen edhe zgjedhjet presidenciale. Data e këtyre zgjedhjeve do të caktohet nga kryetari i ardhshëm i parlamentit.
Profesori nga Beogradi me shanse për t’u zgjedhur kryetar i parlametit
Mediat raportojnë se lista studentore mund të propozojë profesorin asistent nga Beogradi, Aleksandar Çupiq, për postin e kryetarit të parlamentit. Çupiq punon në Fakultetin e Komunikacionit dhe Transportit, ndërsa njëkohësisht merret edhe me bujqësi. Ai është baba i gjashtë fëmijëve.
Çupiq njihet për mjekrën e tij të gjatë me thinja, por edhe për interpretimet muzikore gjatë aktiviteteve elektorale të lëvizjes studentore. Në disa raste ai ka kënduar një version të përshtatur për lëvizjen studentore të këngës popullore serbe “Ajde Jano”. Videot e këtyre performancave janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe janë bërë virale. Megjithatë, nominimi i Çupiqit për këtë post ende nuk është i sigurt. Pas zgjedhjes së kryetarit të parlamentit do të zgjidhen edhe zëvendëskryetarët e tij dhe do të formohen komisionet parlamentare.
Mbetet e paqartë se sa dhe në çfarë mase lëvizja studentore do të vazhdojë të ketë ndikim në politikën e përditshme pas konstituimit të parlamentit. Sipas Kushtetutës së Serbisë, mandati i deputetit është i lirë dhe nuk i nënshtrohet detyrimeve imperative. Megjithatë, të gjithë kandidatët kanë firmosur një zotim me të cilin angazhohen të zbatojnë programin zgjedhor të studentëve dhe të mos kalojnë në grupe të tjera parlamentare apo parti politike.
Studentët duket se kanë një fjalë në vendimmarrje edhe sa i përket formimit të qeverisë. Kështu e paraqesin situatën disa përfaqësues të lëvizjes studentore dhe kandidatë të listës së saj. Një përfaqësues i lëvizjes i deklaroi gazetës Danas se për secilin post ministror ekzistojnë disa kandidatë të kualifikuar.
Shumë profesorë universitarë dhe akademikë në listën studentore
Studentët kanë kandiduar në listën e tyre shumë profesorë universitarë dhe akademikë. Më shumë se gjysma e kandidatëve në listë kanë gradën shkencore të doktorit. Emrat konkretë pritet të bëhen publikë vetëm pas konstituimit të parlamentit, përmes një deklarate të përbashkët të lëvizjes studentore dhe listës zgjedhore.
Megjithatë, sipas Kushtetutës së Serbisë, ministrat dhe kryeministri nuk duhet domosdoshmërisht të jenë deputetë të zgjedhur. Prandaj, në garë për këto poste mund të përfshihen edhe persona të tjerë. Kandidati i renditur i pari në listë, Ilija Srdanović, nuk do të bëhet automatikisht kryeministër. Sipas studentëve, renditja e kandidatëve në listë është përcaktuar në mënyrë të rastësishme. Qeveria e re duhet të formohet brenda 90 ditësh nga konstituimi i parlamentit.
Prioriteti kryesor: tranzicion pa probleme
Qeverinë e re e presin shumë sfida. Prioriteti kryesor pritet të jetë një tranzicion i qëndrueshëm, që do të thotë, për shembull, që pensionet dhe pagat të vazhdojnë të paguhen pa ndërprerje. Përveç kësaj, qeveria e re duhet të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me energji. Kompania më e madhe e naftës në Serbi, NIS, e cila zotëron edhe rafinerinë e vetme në vend, është nën sanksione amerikane. Përjashtimi i përkohshëm nga këto sanksione skadon më 11 dhjetor. Lista Studentore synon të zhvillojë negociata me Rusinë për një kontratë afatgjatë të furnizimit me gaz. Serbia varet nga gazi natyror rus, veçanërisht tani gjatë dimrit.
Lëvizja protestuese studentore lindi pas shembjes së strehës së betonit mbi hyrjen e stacionit hekurudhor në qytetin e dytë më të madh të Serbisë, Novi Sad, dy vjet më parë, ku humbën jetën 16 persona. Kritikët e qeverisë së Aleksandar Vuçiqit e konsideruan korrupsionin si shkakun kryesor të kësaj tragjedie. Me kalimin e kohës, protestat u shndërruan në një forcë politike me ndikim./DW
