Përplasjet e protestave në Tiranë kanë shkaktuar debate të forta edhe në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ku Erion Braçe, Igli Cara dhe Milva Ekonomi kanë shkëmbyer akuza lidhur me dëmet e shkaktuara në biznese dhe infrastrukturën publike, por edhe trajtimin e protestuesve të lënduar nga ndërhyrja e policisë.
Deputeti socialist Erion Braçe u shpreh se protesta është një e drejtë e garantuar, por sipas tij, ajo nuk mund të shndërrohet në dhunë ndaj bizneseve dhe pronës publike e private. Ai kërkoi evidentimin dhe ndëshkimin e personave që kanë shkaktuar dëme, duke theksuar se përgjegjësia nuk mund t’u faturohet institucioneve apo bizneseve.
Braçe u ndal edhe te dëmtimi i infrastrukturës në kryeqytet, duke përmendur semaforët e dëmtuar dhe nevojën për ndërhyrje të menjëhershme në pastrimin dhe rikuperimin e qytetit, ndërsa kërkoi gjithashtu që personat përgjegjës për dëmet të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi ligjore, duke ngritur edhe çështjen e përdorimit të fondit rezervë për rikuperimin e dëmeve.
Por deputeti demokrat Igli Cara e kundërshtoi qëndrimin e Braçes, duke e akuzuar mazhorancën për standarde të dyfishta. Ai kërkoi dëmshpërblim jo vetëm për bizneset e dëmtuara, por edhe për qytetarët që, sipas tij, janë lënduar nga ndërhyrja e policisë gjatë protestave. Demokrati kritikoi gjithashtu qeverinë për vonesat në procesin e rindërtimit dhe bonusin e qirasë, ndërsa iu referua edhe shpopullimit të vendit, duke kërkuar që diskutimi të mos kufizohet vetëm te dëmet materiale të shkaktuara gjatë protestave.
Nga ana tjetër, deputetja socialiste Milva Ekonomi tha se ekzistojnë instrumente ligjore për ndëshkimin e personave që shkaktojnë dëme gjatë tubimeve, duke përmendur regjistrat, gjobat dhe ndalimet nga policia. Ekonomi pretendoi se gjatë protestave të dhunshme janë dëmtuar si efektivë të policisë, ashtu edhe protestues, ndërsa theksoi se strukturat shëndetësore kanë ofruar trajtim për të gjithë të lënduarit, pa dallim.
Pjesë nga diskutimi:
Igli Cara: Të dëmshpërblehen bizneset por edhe të dëmtuarit nga represioni i qeverisë. Pse me dy standarde zoti Braçe.
Akoma nuk keni mbyllur bonusin e qerasë dhe Rindërtimin, keni gojë edhe të flisni. Sot shqiptarët po largohen dhe sipas INSTAT ka pakësim të frikshëm të qytetarëve.
Referoju fakteve para e të bësh politikë. Mos shihni shkakun por pasojën që është protesta. Nuk merrni masa për vjedhjen miliarda euro në buxhet dhe flisni për protesta. Po dëmin shëndetësor të protestuesve, për këmbët e thyera, për syrin e Erjon Vishkullit do të ketë akte normative për këto?
Erion Braçe: Protesta e drejtë e garantuar. Nuk mendoj që protesta është dhunë aq më tepër ndaj bizneseve dhe infrastrukturës publike, private dhe shtetërore. Një muaj rrugët e Tiranës janë pa semaforë. Nuk mund të paguajë Bashkia për çdo gjë, as ajo kompania në këtë rast. Pastrimi në qytet është jetik, nuk mund të presim përjetësisht për rikuperimin e infrastrukturës.
Siç përdorni fondin rezervë në raste të tjera, duhet përdorur edhe në këtë rast. A janë evidentuar ata që kanë shkaktuar dëme? Duhen futur në hullinë e ligjit dhunuesit. Kanë mbajtur përgjegjësi protestuesit por nuk kanë mbajtur nga ana e shtetit, qesh zotëria se e ka engledisje pasditen, por në bulevard janë vrarë njerëz me urdhër dhe nuk mban njeri përgjegjësi, sepse dhuna ngatërrohet me protestën.
Milva Ekonomi: Kemi kaluar disa ligje dhe disa ndryshime që dëmtuesi duhet të penalizohet dhe merr përgjegjësi për dëmin që shkakton. Regjistrat, gjobat, ndalimi nga policia janë instrumente që funksionojnë. Dua të shtoj që në protestat e dhunshme, janë dëmtuar më shumë policë dhe protestues, ndryshe nga vendet e tjera europiane.
Spitalet tona kanë qenë të hapura për të dëmtuarit si nga policët si nga protestuesit. Janë trajtuar si te Trauma ashtu edhe te Nënën Tereza. Djali që ka dëmtuar syrin në Itali shkoi me paratë dhe ndërhyrjen e shtetit, kjo tregon që shteti mori përgjegjësi mbrojtje, edhe pse djali ishte me vullnet të lirë me protestuesit. Kur je te dhuna duhet të tregosh kujdes sepse dhuna është e shkëmbyeshme.
