Veliaj kërkon të marr pjesë në gjyqin ndaj tij, letër SPAK për shtyrje seance, Ols Dado: Gjendja shëndetësore nuk e pengon të vijë

Për herë të parë Veliaj kërkon që të marrë pjesë në seancë gjyqësore. Përmes një letre drejtuar gjykatës, Veliaj është shpprehur: “Për shkak të gjendjes shëndetësore për të cilën më është rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale, kam 10 ditë që kërkoj dokumentacionin mjekësore, por s’më është dhënë asnjë shpjegim. Kjo situatë më pengon të marr pjesë në gjykim dhe kërkoj që seanca gjyqësore të shtyhet”.
Por prokurorët e çështjes Altin Dumani dhe Ols Dado shprehen se SPAK nuk ka njoftim për një gjendje shëndetësore emergjente.
“Ne nuk kemi asnjë relacion mjekësor nga mjeku i burgut të na përshkruajë gjendjen sbëndetësore të veliajt. Nuk kemi asnjë dokument konkret mbi gjendjen e tij që të ishim të qartë”, tha prokurori Altin Dumani.
Por avokati i kryebashkiakut, Plarent Ndreca theksoi se Veliajt nuk po i jepet kartela mjekësore dhe informacion mbi gjendjen e tij.
“Prokuroria është e informuar mbi gjendjen shëndetësore të Veliajt. Këtë thotë edhe i pandehuri, kërkon informacion mbi situatën reale të këmbës dhe grafinë për ta konsultuar me mjek. Nuk i jepet kartela mjekësore. Veliaj e ka shprehur vullnetin për të marrë pjesë në seancë
Drejtoria e Burgjeve nuk jep informacione për një të drejtë bazike. Kjo bëhet pengesë për vijimin e seancës. Ka pasur kontrolle mjekësore në IEVP, ka bërë rezonancën dhe grafinë. I është thënë ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale”, tha avokati Plarent Ndreca.
Ndërkohë, trupi gjykues i GJKKO-së pasi u tërhoq në Dhomën e Këshillimit për të vendosur nëse seanca do të vijojë apo do të shtyhet u kthye duke vijuar gjyqin me parashtrimet e kërkesave të të pandehurve të tjerë, ndërsa deklaroi se pretendimi i Veliajt për pamundësi që të vijë në seancë nuk provohet nga mbrojtja.
Ols Dado ndër të tjera pranoi situatën shëndetësore të Veliajt, por sipas tij nuk është në gjendjen që ti pamundësohet ardhja në gjyq, dhe solli në vëmendje edhe kërkesën e kryebashkiakut ndaj SPAK që ta lejonte të merrte pjesë në Asamblenë e Partisë Socialiste.
“Informacioni i sjell nga Spitali Memorial i Fierit dhe mjeku turk, paraqet situatën e Veliajt, që nuk ka gjendje emergjente. Avokati sjell informacione të njëanshme. DPB ka zbatuar korrekt procedurat dhe ndjekur strikt rregulloren. Di që ka patur komunikim mes mbrojtjes dhe burgjeve. Gjendja që përcakton mjeku turk nuk pamundëson ardhjen në gjyq, për më tepër i pandehuri kërkoi leje nga SPAK të merrte pjesë në evente, ndërsa në gjyq thotë jam në pamundësi të vij”, tha prokurori Ols Dado.
Plarent Ndreca tha se kërkesa për eventin ka qenë me alternativë ose pjesmarrje fizike, ose lidhje me videokonferencë.




