Kompania Meta ka nisur testimin e një aplikacioni të ri të quajtur Direct, i cili synon të veçojë komunikimin me mesazhe nga pjesa tjetër e Instagramit. Aplikacioni i ri është krijuar si një hapësirë e dedikuar për bisedat private dhe mund të përdoret edhe nga persona që nuk kanë një llogari në Instagram.
Testimi ka nisur në Turqi dhe Tajlandë, ndërsa kompania nuk ka bërë ende të ditur se kur aplikacioni mund të shtrihet në tregjet e tjera.
Direct ofron mundësinë e komunikimit individual dhe në grupe, si dhe disa funksione që përdoruesit e Instagramit i njohin tashmë. Mes tyre janë Notes, ngjitëset, personalizimi i sfondit të bisedave dhe efektet zanore. Një funksion tjetër i ri është mundësia për të vizatuar drejtpërdrejt brenda bisedave.
Një prej veçorive më interesante është se përdoruesit mund të regjistrohen me numrin e telefonit ose adresën e emailit, pa qenë të detyruar të kenë një profil Instagrami. Ata që kanë tashmë një llogari mund të hyjnë me kredencialet ekzistuese dhe të sinkronizojnë bisedat e tyre.
Meta ka njoftuar se aplikacioni do të ketë edhe masa sigurie. Personat që nuk janë të lidhur me një përdorues përmes kontakteve nuk do të mund t'i nisin atij biseda pa kufizime. Për adoleshentët, prindërit do të kenë mundësi të monitorojnë kontaktet me të cilat komunikojnë dhe kohën e kaluar në aplikacion, nëpërmjet mjeteve të mbikëqyrjes prindërore.
Nisma vjen në një kohë kur komunikimi përmes mesazheve është bërë një prej funksioneve më të përdorura të Instagramit. Megjithatë, krijimi i një aplikacioni të veçantë ngre pikëpyetje edhe për konkurrencën me WhatsApp, i cili është gjithashtu pjesë e kompanisë Meta.
Për momentin, bëhet fjalë për një testim të kufizuar dhe nuk ka një njoftim zyrtar për datën e lançimit global.
© SYRI.net