
Pas fitores ndaj Luksemburgut, Kombëtarja shqiptare U-21 rikthehet sot në fushën e lojës për një tjetër sfidë interesante, këtë herë kundër Spanjës. Kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi do të përballen me një prej përfaqësueseve më të forta të futbollit europian, në një test që pritet të ketë rëndësi të veçantë për përgatitjet e tyre të ardhshme.
Përtej karakterit miqësor, kjo përballje do të jetë një mundësi e mirë për stafin teknik dhe futbollistët shqiptarë për të matur nivelin ndaj një kundërshtari me traditë dhe cilësi të larta teknike.
Objektivi kryesor është ndërtimi i një skuadre sa më konkurruese për Kampionatin Europian U-21, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm dhe ku Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse si vend organizator.
Një tjetër zhvillim pozitiv për kuqezinjtë është bashkimi me skuadrën i mesfushorit Feta Fetai, i cili është grumbulluar menjëherë pas fitores ndaj Bjellorusisë, duke i dhënë më shumë alternativa trajnerit Alban Bushi për këtë takim.
Ndeshja ndaj Spanjës do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, duke nisur nga ora 19:00. Federata ka bërë të ditur se hyrja për tifozët do të jetë falas, ndaj pritet që të ketë mbështetje nga shkallët e stadiumit për talentet e rinj kuqezi.