E martë, 17 Nëntor 2026 Dielli i Dimrit deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Berisha kundër projektbuxhetit 2027: Është përgatitur në fshehtësi, ndëshkon qytetarët dhe bizneset e ndershme

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kundërshtuar ashpër projektbuxhetin e vitit 2027, duke e cilësuar atë si të paligjshëm dhe antikushtetues. Sipas tij, qeveria e ka hartuar dokumentin në fshehtësi të plotë, pa marrë në konsideratë interesat e qytetarëve dhe të sipërmarrjes.

Deklaratat Berisha i bëri gjatë një mbledhjeje me Grupin Parlamentar të PD-së në selinë blu, ku akuzoi qeverinë se përmes këtij projektbuxheti favorizon një grup të kufizuar njerëzish, ndërsa rëndon financiarisht shumicën e shqiptarëve dhe bizneseve.

“Ky buxhet paraqitet në Kuvend në mënyrën më tipike si buxhet i një narkoshteti. Është përgatitur në fshehtësinë më të madhe, sikur të ishte dokumenti më sekret i shtetit, jo dokumenti me implikacione direkte në xhepat e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Injorim total i qytetarëve dhe i biznesmenëve”, deklaroi Berisha.

Kreu i demokratëve përgëzoi deputetët e opozitës për kundërshtimin e projektbuxhetit dhe paketës fiskale, duke theksuar se qëndrimi i Partisë Demokratike ndaj tyre do të jetë kategorikisht kundër.

Reklamë

Berisha u ndal veçanërisht te trajtimi fiskal i bizneseve, duke akuzuar qeverinë se po favorizon subjektet që kanë fshehur aktivitetin e tyre ndër vite, ndërsa po rëndon sipërmarrjet që, sipas tij, kanë ushtruar aktivitetin në mënyrë të rregullt.

“Në një anë shpall paqen fiskale me ata të cilët kanë fshehur vite e stërvite veprimtarinë e tyre, kurse bizneseve të ndershme u bie me satër. Kjo paketë ndëshkon biznesin e ndershëm”, u shpreh ai.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Berisha ishte informaliteti në sektorin e turizmit. Ai pretendoi se shkalla e informalitetit në strukturat akomoduese arrin në 78%, duke krahasuar performancën e Shqipërisë me atë të Malit të Zi sa i përket numrit të netëve të qëndrimit të turistëve.

Sipas tij, në vend që qeveria të përqendrohet te formalizimi i ekonomisë dhe lufta ndaj informalitetit, po godet bizneset që operojnë rregullisht.

Në përfundim, kreu i PD-së ritheksoi kundërshtimin e forcës politike që drejton ndaj projektbuxhetit të vitit 2027 dhe paketës fiskale, duke i cilësuar ato si masa që rëndojnë qytetarët dhe sipërmarrjen shqiptare.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.