
Është mbledhur ditën e sotme komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore, i bashkëdrejtuar nga PS me Damian Gjiknurin dhe PD me Aurel Bylykbashi.
Bashkëkryetari demokrat Bylykbashi, ka ripërsëritur kërkesat e Partisë Demokratike për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Ai kërkoi rikthimin e koalicioneve parazgjedhore, respektimin e marrëveshjes politike të vitit 2020 dhe vendosjen e listave 100% të hapura edhe për këshilltarët bashkiakë.
“Ne kërkojmë kthimin e koalicioneve parazgjedhore, të respektohet marrëveshja e vitit 2020. Është një sistem që garanton rotacion. Sistem proporcional kombëtar me lista 100% të hapura dhe me një prag për të cilin duhet të biem dakord. Lista 100% të hapura për këshilltarët bashkiakë.
Patronazhimi është shembulli më i saktë i partisë-shtet. Rropatesh nëpër sportele dhe nuk e merr shërbimin. Shkon në fundjavë te partia dhe të gjejnë zgjidhje. Sistem patronazhimi. Ne duhet të bëjmë ndryshimet për zgjedhjet e 9 majit. Ligji për financimin e partive politike vlen pas 9 majit”, tha Bylykbashi.
Nga ana tjetër, Gjiknuri e cilësoi paketën e PD-së një listë dëshirash.
“Kjo është një listë dëshirash e opozitës. Ju keni konceptin absolut që shteti duhet të ngrijë, që administrata publike është e gjitha politike. Ku ka ndonjë vend që një të punësuari në administratë t’i privosh të drejtën politike? Jam dakord që kufizimi të jetë më i fortë për mospolitizimin e funksionit të një zyrtari. Kjo mund të zgjidhet me një vendim të Këshillit të Ministrave. Të thashë liqenin për të zënë peshqit. Nuk është një qasje demokratike”, tha Gjiknuri.
