
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka nderuar dëshmorët dhe luftëtarët që kontribuuan në çlirimin e Tiranës, në 82-vjetorin e kësaj ngjarjeje.
Në ceremoninë përkujtimore, Demo ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, nënkryetarja e Kuvendit Evis Kushi, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, ministra, prefekti i Tiranës, personalitete të qytetit, si dhe përfaqësues të veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve.
Në mesazhin e tij, ministri theksoi se nderimi për sakrificën e atyre që luftuan për lirinë e kryeqytetit duhet të shprehet edhe përmes kujdesit të përditshëm ndaj qytetit dhe banorëve të tij.
“Ata na lanë një qytet të lirë. Ne kemi përgjegjësinë të kujdesemi për të”, u shpreh Demo.
Ai nënvizoi rëndësinë e pranisë së institucioneve pranë qytetarëve, dëgjimit të shqetësimeve të tyre dhe zgjidhjes së problemeve që ndikojnë në jetën e përditshme. Demo veçoi gjithashtu sigurinë e fëmijëve dhe mbështetjen e familjeve.
Ministri u ndal edhe te përcjellja e historisë së Tiranës te brezat e rinj, duke e lidhur ruajtjen e kujtesës historike me përgjegjësinë për të ardhmen e qytetit.
“Historinë e Tiranës duhet t’ua përcjellim brezave të rinj. Me punën tonë, duhet t’u japim edhe më shumë arsye për ta dashur këtë qytet dhe për ta ndërtuar të ardhmen këtu. Ky do të ishte edhe nderimi më i madh ndaj atyre që dhanë jetën për çlirim”, u shpreh Demo.