Leclerc ‘bastard i vogël dhe i pabesë’/ Gazetari anglez përjashtohet nga paddock i Formula 1
Në prag të 96-vjetorit, Bernie Ecclestone nuk e ka humbur aspak mprehtësinë dhe as zakonin për të thënë hapur atë që mendon. Në një intervistë të gjatë dhe mjaft pikante për Sky Sport Deutschland dhe RTL, ish-drejtuesi ekzekutiv i Formula 1 ka analizuar pa filtra gjendjen aktuale të këtij kampionati, duke drejtuar gishtin nga Maranello, tensionet e brendshme mes pilotëve të Ferrarit dhe zhvillimet që po trazojnë prapaskenat e Formula 1.
Sulmi ndaj Lewis Hamilton
Tema më e nxehtë e javëve të fundit në Maranello mbetet menaxhimi i marrëdhënies mes Lewis Hamilton dhe Charles Leclerc, e cila u tensionua sërish pas duelimit mes tyre në startin e Çmimit të Madh të Meksikës dhe vendimit të Frederic Vasseurit, të përsëritur edhe në Brazil, për të mos vendosur rregulla të rrepta për duelet mes dy pilotëve. Për këtë çështje, Ecclestone nuk i kursen aspak fjalët, duke rezervuar kritika të ashpra veçanërisht për shtatë herë kampionin e botës. ‘Sapo hipën në makinë për të nisur garën, fillon të ankohet dhe të gjejë diçka për të cilën të shprehë pakënaqësinë, madje pa mbërritur ende te kthesa e parë’-tha me tone të ashpra Ecclestone, përpara se të lëshonte edhe një tjetër thumb me nota brezash: ‘Tashmë po i afrohet moshës kur duhet të fillojë të mendojë për tërheqjen nga garat’.
Krejt ndryshe është vlerësimi i tij për Charles Leclerc, të cilin e cilëson si simbolin dhe zemrën e Ferrarit.
‘Ai është një njeri i Ferrarit. Hamilton, përkundrazi, erdhi dhe u përpoq të ndryshonte mënyrën se si funksionojnë gjërat brenda skuadrës. Por për ta bërë këtë i vetëm, për të tashmë është thjesht tepër vonë’-shtoi Ecclestone.
‘Ferrarit i duhet një pilot kryesor’
Sipas ish-drejtuesit të Formula 1, problemet e Ferrarit e kanë zanafillën te struktura e skuadrës dhe mungesa e hierarkive të qarta. Një mangësi strukturore që, sipas tij, e ka penguar skuadrën italiane të fitojë titullin botëror këtë vit, pavarësisht se kishte makinën më të mirë. ‘Ferrarit i duhet një pilot që të jetë qartësisht numri një. Është shumë më mirë të kesh një pilot të mirëfilltë si numri një dhe një pilot të dytë shumë konkurrues. Por ky i fundit duhet ta ketë plotësisht të qartë rolin e tij dhe të jetë një garanci për skuadrën’-tha Ecclestone qw mw pas drejtoi gishtin edhe nga Frederic Vasseur duke vënë në pikëpyetje aftësitë e tij drejtuese.
‘Të jem i sinqertë, është njeri i mirë, por thjesht nuk është në lartësinë e duhur për të drejtuar një skuadër si Ferrari. Ferrarit i duhet një njeri shumë, shumë, shumë i fortë, që të mendojë për Ferrarin që nga momenti kur zgjohet në mëngjes e deri kur bie të flejë. Pyes veten nëse ai vërtet ia kushton pjesën më të madhe të mendimeve të tij Ferrarit’-tha ish pronari i Formula 1.
Batuata për Kimi Antonellin
Nuk mund të mungonte as një batutë therëse për kampionin e saposhpallur të botës, Andrea Kimi Antonelli, dhe zërat për një transferim të mundshëm të tij te Ferrari në të ardhmen. I pyetur nëse Ferrari mund të ishte destinacioni i duhur për talentin e ri italian, Ecclestone është përgjigjur me të qeshur dhe me një nga thumbimet e tij karakteristike. ‘Duhet të presim derisa të mbushë më shumë se 50 vjeç. Vetëm atëherë Ferrari do të jetë një vend i mirë për të…’-ishte ironia therrëse e Ecclestone.
Top Channel