Gjykata e Durrësit ka vendosur të mos pranojë kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj Albi Demës dhe Edison Likajt, dy personave të arrestuar pas incidentit të ndodhur gjatë protestës në Manzë, ku u përfshi edhe eskorta e kryeministrit Edi Rama.
Pas shqyrtimit të çështjes, gjykata e ka konsideruar të paligjshëm arrestimin në flagrancë të dy të hetuarve, duke urdhëruar lirimin e tyre të menjëhershëm.
Dema dhe Likaj u vunë në pranga ditën e shtunë, pasi dyshohen se kanë qenë pjesë e protestës gjatë së cilës u hodhën vezë dhe sende të forta në drejtim të automjeteve të eskortës së kryeministrit.
Vendimi u shpall pas seancës gjyqësore për vlerësimin e ligjshmërisë së arrestimit dhe caktimin e masës së sigurisë. Ndërkohë, pranë gjykatës ndodheshin edhe familjarët e dy protestuesve, të cilët prisnin vendimin për fatin e tyre.