
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) kanë shpallur aktgjykimin në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, e cila lidhet me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe rendit publik.
Gjykata ka dënuar Hashim Thaçin dhe të tjerët me 41 muaj burgim efektiv për veprën penale të pengimit të drejtësisë.
Gjykatësi i vetëm për gjykimin e çështjes, Kristofer Gosnell, e ka shpallur Hashim Thaçin fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Për këto vepra, Thaçi është dënuar me 17 muaj burgim, dënim që do të vuhet veçmas nga çdo dënim tjetër në çështjen e tij për krime lufte.
Bashkim Smakaj është shpallur fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë dhe për ndihmë në mosbindje ndaj gjykatës, duke u dënuar me 12 muaj burgim. Megjithatë, duke marrë parasysh kohën e kaluar në paraburgim, gjykatësi e ka konsideruar dënimin të vuajtur dhe ka urdhëruar lirimin e tij.
Me të njëjtin dënim, prej 12 muajsh burgim, është dënuar edhe Fadil Fazliu, i shpallur fajtor për të njëjtat vepra penale. Edhe në rastin e tij, koha e kaluar në paraburgim është llogaritur në dënim, duke bërë që ai të konsiderohet i vuajtur dhe Fazliu të lirohet.
Në anën tjetër, Hajredin Kuçi është shpallur fajtor për një akuzë të mosbindjes ndaj gjykatës dhe është dënuar me një muaj burgim me kusht. Ky dënim do të konsiderohet i kryer pas një viti, nëse gjatë kësaj periudhe ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale sipas Kodit Penal të Kosovës.
Ndërsa Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm për të gjitha akuzat kundër tij. /RTK/




