Avokati Plarent Ndreca ka reaguar pas seancës së zhvilluar në GJKKO ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke komentuar pretendimet e këtij të fundit se ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, e kishte takuar në ambientet e paraburgimit dhe e kishte kërcënuar në emër të kryeministrit Edi Rama.
Në një komunikim me gazetarët, Ndreca u shpreh se Veliaj ka thënë të vërtetën dhe se pretendimet e tij duhet të hetohen nga institucionet përgjegjëse.
Sipas avokatit, kryeministri nuk duhet të mbajë anë në këtë përplasje, por të kërkojë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe të rrethanave të saj.
Ndreca ngriti gjithashtu shqetësimin për mosmarrjen në shqyrtim të kërkesës së tyre për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Sipas tij, ky komision do të mundësonte shqyrtimin e dokumenteve sekrete dhe sqarimin e plotë të çështjes.
“Rama nuk duhet të mbajë krahë, duhet të bëjë hetime. Ne kemi thënë të vërtetën tonë dhe institucionet duhet të hetojnë. Nuk i janë përgjigjur kërkesës sonë për komision hetimor, pasi duhet të shihen dokumentet sekrete. Fakti që hesht tregon që problemi nuk është te Veliaj, por diku tjetër”, deklaroi Ndreca.
