
Cristiano Ronaldo ka marrë një tjetër mbështetje publike pas kritikave të fundit në drejtim të tij. Këtë herë në mbrojtje të yllit portugez ka dalë ish-mesfushori brazilian Felipe Melo, i cili ka dënuar mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet një prej legjendave më të mëdha të futbollit.
Ish-futbollisti i Juventusit dhe Interit është shprehur plotësisht dakord me qëndrimin e nënës së Ronaldos, Dolores Aveiro, duke e konsideruar të padrejtë mungesën e vlerësimit për kontributin e sulmuesit të Al Nassr në historinë e kombëtares portugeze.
“Jam plotësisht dakord me nënën e Ronaldos. Mënyra se si po trajtohet një legjendë si ai është një turp, një shfaqje e madhe mosmirënjohjeje. Të tjerët le të mendojnë çfarë të duan, ky është mendimi im. Duket sikur kanë harruar se kush është në të vërtetë Cristiano”, deklaroi Melo.
Braziliani theksoi se Portugalia ka ndryshuar ndjeshëm në arenën ndërkombëtare falë epokës së Cristiano Ronaldos. Sipas tij, ndikimi i kapitenit portugez në sukseset e përfaqësueses është i pamohueshëm.
“Ekziston një Portugali para Cristiano Ronaldos dhe një tjetër pas tij. Sa trofe kishte fituar kombëtarja përpara se ai të vinte? Zero, asgjë. Me Ronaldon fituan Kampionatin Evropian dhe dy trofe të Nations League. Portugalia më në fund mori respektin që meritonte”, u shpreh ish-mesfushori.
Felipe Melo shtoi se, përpara Botërorit të fundit, e konsideronte Portugalinë një prej kombëtareve më të forta në botë, ndaj është i befasuar nga kritikat që po drejtohen ndaj një figure me kaq shumë rëndësi për futbollin portugez.
“Po flasim për një legjendë. Ai nuk duhet të trajtohet në këtë mënyrë”, përfundoi braziliani.
