Pandeli Majko: Nuk fola për videot erotike, por për kontaktet e papërshtatshme me krimin e organizuar
Ish-kryeministri Pandeli Majko ka reaguar me ironi ndaj raportimeve në media për fjalën e tij në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku u raportua se kishte shprehur shqetësim për video erotike dhe korruptive të kolegëve të tij socialistë.
Në një postim, Majko sqaron se në fjalën e tij nuk ka përmendur video erotike apo video seksi, por kontaktet e papërshtatshme dhe diskretituese me krimin e organizuar.
Ai thotë se gjatë mbledhjes ka kërkuar largimin nga politika të personave që kanë kontakte të tilla, ndërsa thekson se ka përmendur vetëm një informacion publik mbi video të sekuestruara nga SPAK.
“Ky është ai momenti kur kupton se në vendin tonë për një person publik janë më të rënda ‘videot erotike’ se sa kontaktet e papërshtatshme dhe diskretituese me krimin e organizuar”, shkruan Majko.
Ish-kryeministri e mbyll reagimin me një shprehje ironike: “Ndjesë për zhgënjimin!”. a.b





