Pas ndeshjeve në Ligën e Kombeve, edhe pse mbrëmjen e së martës mbyllen plotësisht, është përcaktuar pothuajse në 99% edhe ndarja në vazo për shortin e kualifikueseve të Evropianit, që do të mbahet të dielën e 6 dhjetorit në Belfast prej orës 18:00.

I vetmi dyshim përsa i përket ndarjes së vazove ka të bëjë me ndeshjen Irlandë-Kosovë, që luhet sonte në orën 20:45. Janë gjithsej 54 përfaqësuese që ndahen në 5 vazo. 4 të parat do të kenë nga 12 ekipe, ndëra vazo e fundit 6. Kjo do të thotë se pas shortit janë 12 grupe nga të cilat gjashtë do të përbëhen me 5 përfaqësuese dhe 6 të tjera me 4.

Ndarja e vazove deri më tani:

Vazo e parë: Spanja, Anglia, Franca, Belgjika, Portugali, Holandë, Danimarkë, Gjermani, Norvegji, Itali, Kroaci dhe Greqi.

Vazo e dytë: Austri, Bosnjë Hercegovinë, Çeki, Hungari, Irlandë e Veriut, Serbi, Slloveni, Suedi, Turqi, Uells, Zvicër, Irlandë ose Kosovë.

Vazo e tretë: Irlandë ose Kosovë, Gjeorgji, Islandë, Izrael, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Poloni, Rumani, Skoci, Sllovaki, Shqipëri, Ukrainë

Vazo e katërt: Armeni, Bjellorusi, Bullgari, Qipri, Estoni, Ishujt Faroe, Finlandë, Kazakistan, Letoni, Luksenburg, Moldavi, San Marino.

Vazo e pestë: Andorra, Azerbajxhan. Gjibraltar, Litenshtejn, Lituani dhe Maltë

Referuar kësaj ndarje gjithkush mund të bëjë llogaritë për kombëtaren shqiptare, e cila do ‘peshkojë’ nga një kundërshtar në secilën vazo përveç të tretës ku ndodhet vetë. Ekziston mundësia që Shqipëria të jetë në grup me Greqinë dhe Serbinë, por edhe me Greqinë e Kosovën. Për t’u saktësuar se Serbia dhe Kosova nuk mund të ndeshen sëbashku.

Nga kualifikueset presin biletën për në 'Euro 2028' 12 ekipet e renditura të parat në secilin grup, ndërsa gjithashtu presin biletën 8 përfaqësueset më të mira të vendeve të dyta. Katër vendet e tjera të dyta do të bëjnë ‘play-off’ sëbashku me 4 skuadra nga Liga e Kombeve.

Kujdes! Ekziston mundësia që në ‘play-off’ nga Liga e Kombeve të mos shkojnë 4 përfaqësuese. Kjo do të varet nga katër vendet organizatore të Evropianit: Anglia, Irlanda, Uellsi dhe Skocia. Sipas rregullores së UEFA-s dy prej këtyre përfaqësueseve duhet të jenë  patjetër në Euro 2028. Në rast se kjo nuk ndodh atëherë do të marrin bileta nga vendet e Ligës së Kombeve. Megjithatë duke ditur potencialin e Anglisë duket e pamundur që të mos kualifikohet nga kualifikueset e Evropianit. E mira për përfaqësueset që janë të renditura të parat në grupet e Ligës së Kombeve, ku bën pjesë edhe Shqipëria, është që 2 nga vendet organizatore të marrin bileta nga kualifikueset, me qëllim që nga Liga e Kombeve të shkojnë 4 përfaqësuese në ‘play-off’.  

Prej vitit 2016 Evropiani përbëhet nga 24 përfaqësuese. Sipas përqindjeve, 44% e përfaqësueseve në Evropë marrin pjesë në 'Euro 2028'.