
Një anije cisternë gazi me flamur të Liberisë u fundos të martën në zonën ekskluzive ekonomike të Bullgarisë në Detin e Zi, sipas Ministrisë së Mbrojtjes. Personeli ushtarak dhe avionët bullgarë janë angazhuar në operacionin e kërkim-shpëtimit për ekuipazhin e 19 shtetasve filipinas të transportuesit të gazit GAS HUSKY.
Anija u zhyt rreth 50 milje detare, afërsisht 100 kilometra, larg bregdetit, njoftoi ministria në një deklaratë. Anija GAS HUSKY ishte zhdukur nga radari pak pas mesnatës. Rreth orës 8:02 të mëngjesit sipas orës lokale u aktivizua shama e emergjencës, duke lëshuar sinjalin për një anije të fundosur.
Një helikopter Cougar është dërguar në vendin ku është gjetur një gomone shpëtimi me njerëz, ndërsa operacioni vijon ende, raportohet gjithashtu. Transportuesi i gazit udhëtonte nga Aleksandria e Egjiptit drejt portit rumun të Midias. Bëhet fjalë për anijen e dytë tregtare që fundoset në brigjet e Bullgarisë brenda dy ditësh.
Të hënën, një anije mallrash me flamur somalez u fundos në zonën ekskluzive ekonomike të Bullgarisë, jo shumë larg vendit të incidentit të së martës. Të 12 anëtarët e ekuipazhit në bord u shpëtuan në një operacion shpëtimi. Hetimet për shkaqet e të dy incidenteve kanë nisur, ndërsa deri më tani nuk ka informacion zyrtar nëse anijet u goditën nga dronë.
Javët e fundit ka pasur disa sulme vdekjeprurëse me dronë kundër anijeve tregtare pranë brigjeve të Bullgarisë dhe Rumanisë. Këto sulme analistët dhe udhëheqësit politikë ia kanë fajësuar gjerësisht luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
