Shqipëria dhe Kosova duhet të synojnë kualifikimin në Kampionatin Evropian “Euro 2028”, ndërsa arritjet e Kosovës i gëzojnë të gjithë shqiptarët. Kështu u shpreh në një intervistë ekskluzive për Telegrafin presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Shqipëria u ngjit sërish në Ligën B, pasi fitoi Ligën C dhe e mbylli grupin me Finlandën, Bjellorusinë dhe San Marinon me 15 pikë. “Kuq e Zinjtë” siguruan gjithashtu një vend në play-off-in e “Euro 2028”.
Të lidhura
None found
Në intervistën e gjatë për Telegrafin, Duka foli për marrëdhëniet shumë të mira mes dy federatave dhe nënvizoi se zgjedhja e secilit futbollist duhet respektuar, përfshirë edhe rastin e Enis Rexhepit.
Kreu i FSHF-së tha se nuk do të dëshironte që Shqipëria dhe Kosova të përfundonin në të njëjtin grup eliminator. Ai përmendi gjithashtu Spanjën, Anglinë, Portugalinë, Francën dhe Gjermaninë si kombëtare që do të preferonte t’i shmangte.
Më poshtë, intervista e plotë:
1. Urime për vendin e parë të Shqipërisë në Grupin C. Si e vlerësoni paraqitjen e skuadrës dhe përmbushjen e objektivit?
“Jam i kënaqur që dolëm në krye dhe realizuam synimin që kishim vendosur. Përgëzimet u takojnë futbollistëve dhe stafit për përkushtimin dhe seriozitetin e treguar gjatë këtij edicioni. Edhe kur nis si favorit, duhet ta vërtetosh këtë në fushë dhe t’i fitosh me meritë ndeshjet”.
“Megjithatë, përfundimi në vendin e parë nuk nënkupton se gjithçka shkoi në mënyrë të përsosur. Duke marrë parasysh nivelin e rivalëve, do të doja që gjatë këtij edicioni t’u jepnim më shumë minuta lojtarëve të rinj. Përveç përmbushjes së objektivit, duhet të krijojmë vazhdimisht më shumë alternativa dhe të përgatitim të ardhmen e Kombëtares”.
2. Cila ju sjell më shumë kënaqësi: ngjitja në Ligën B apo shansi për një vend në play-off-in e EURO 2028?
“Shqipëria i përket Ligës B dhe duhet të synojë të luftojë për Ligën A. Rënia në edicionin e kaluar ishte e dhimbshme, pasi deri në fund të grupit patëm mundësi të luftonim për gjithçka. Veçanërisht na penalizuan 45 minutat e dobëta ndaj Ukrainës. Këtë herë skuadra u përgjigj dhe u kthye në nivelin ku mendoj se e ka vendin”.
“Play-off-i është një mundësi me vlerë, por nuk dua që ta mbështesim objektivin tonë te kjo rrugë. Synimi duhet të jetë kualifikimi në EURO 2028 përmes eliminatoreve. Kemi besim te skuadra dhe duhet të futemi në garë me këtë ambicie. Tani të presim shortin dhe të përgatitemi për ta realizuar synimin”.
3. Sa besim keni te kjo skuadër dhe a mund të kualifikohet në Evropianin e ardhshëm, duke qenë se Shqipëria është në vazon e tretë dhe mund t’i ketë përpara dy kundërshtarë të fortë?
“Kam besim te ekipi. Në përbërje kemi lojtarë cilësorë e me përvojë ndërkombëtare, si dhe të rinj që mund të japin më shumë në të ardhmen. Kemi mundësi të luftojmë për një tjetër kualifikim, por duhet t’i tregojmë këto aftësi në fushë në mënyrë të vazhdueshme”.
“Rruga drejt Evropianit nuk është e lehtë. Duhet të punosh fort, të luftosh për çdo pikë dhe të mos heqësh dorë deri në fund. Asnjë kundërshtar nuk mund të nënvlerësohet dhe emrat e futbollistëve, të vetëm, nuk ta sigurojnë kualifikimin”.
“Le të presim shortin, të mësojmë se cilët do të jenë rivalët dhe të përgatitemi me seriozitet. Duhet t’i respektojmë kundërshtarët, por njëkohësisht të kemi besim te vetja dhe te synimi ynë”.
4. Shorti është afër dhe, nëse Kosova siguron një vend në vazon e dytë, dy përfaqësueset mund të ndeshen. A është koha që të jenë në të njëjtin grup? Nëse ndodh, cila skuadër është më e mirë?
“Jemi një komb dhe dua që të dyja kombëtaret të arrijnë sukses. Preferoj të mos përfundojmë në të njëjtin grup, në mënyrë që të mos ia pengojmë njëra-tjetrës rrugën drejt Evropianit. Do të ishte gëzim i madh për shqiptarët që t’i shihnin të dyja në fazën finale”.
“Nëse shorti na vë përballë, do të luajmë dhe secila skuadër do të përpiqet të fitojë, duke respektuar plotësisht tjetrën”.
“Për të përcaktuar se cila është më e mirë, vendos fusha. Të dyja ekipet kanë lojtarë të mirë dhe synime ambicioze. Unë mbështes Shqipërinë, por çdo sukses i Kosovës më gëzon”.
5. Në të kaluarën keni folur në mbështetje të Kosovës. Vitin e kaluar, për shembull, i thatë Yll Gashit: “Nëse jo te Shqipëria, shko te Kosova”. A ka ndryshuar qëndrimi juaj tani që flitet për lojtarë që kalojnë nga Shqipëria te Kosova, si Enis Rexhepi?
“Qëndrimi im është i njëjtë dhe nuk do të ndryshojë. Përkrahja ime për futbollin e Kosovës është treguar përmes punës dhe përfshirjes konkrete në momentet më të rëndësishme. Ajo nuk është përcaktuar dhe as do të përcaktohet nga marrëdhëniet me një president apo trajner, ose nga vendimi i një futbollisti”.
“Më vjen sinqerisht keq kur puna dhe lobimi ynë për pranimin e Kosovës në futbollin ndërkombëtar paraqiten vetëm si disa deklarata publike. Ishte një angazhim i gjatë, në një kohë kur futbollit të Kosovës i duhej shumë mbështetje. Historia duhet treguar me ndershmëri dhe jam krenar që kam qenë pranë tij në atë periudhë”.
“Gjithmonë kam menduar se dyert duhet të jenë të hapura për futbollistët shqiptarë, pavarësisht se ku jetojnë. Këtë e kam menduar kur kishin më pak mundësi dhe po kështu mendoj tani, kur mund të zgjedhin. Pikërisht këtë synonte mesazhi që i dhashë Yll Gashit”.
“Si president i FSHF-së, dua që futbollistët më të mirë të zgjedhin Shqipërinë dhe punojmë për këtë. Por vendimi i secilit lojtar duhet pranuar. Rastet konkrete duhen trajtuar duke u mbështetur te faktet, ndërsa federatat duhet të komunikojnë me korrektësi dhe të respektojnë punën e njëra-tjetrës”.
“Suksesi i Kosovës është gëzim për gjithë futbollin shqiptar. Ky ka qenë dhe vazhdon të jetë mendimi im”.
6. Në fund, a keni ndonjë dëshirë për shortin e EURO 2028? Do të donit të shihnit ndonjë kombëtare të madhe në Tiranë?
“Tifozët kënaqen gjithmonë kur në Tiranë vijnë kombëtare dhe futbollistë të mëdhenj të Evropës. Për mua, më e rëndësishmja është të kemi një short që na jep mundësi sa më të mira për t’u kualifikuar”.
“Po të kisha mundësi të zgjidhja, do të doja të mos përballeshim me Spanjën, Gjermaninë, Francën, Anglinë dhe Portugalinë. Këto janë skuadra me cilësi dhe potencial të jashtëzakonshëm. Gjithsesi, edhe rivalët e tjerë kërkojnë përgatitje serioze dhe vlerësim maksimal”.
“Shortin nuk mund ta kontrollojmë, por përgatitjen tonë po. Pavarësisht grupit ku do të jemi, duhet të hyjmë në garë me ambicie e besim dhe me synimin për ta kualifikuar sërish Shqipërinë në Evropian”.
Shorti i “Euro 2028” do të hidhet më 6 dhjetor.






