Taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë 6.43 milionë euro për të kompensuar televizionet kombëtare që të lirojnë frekuencat e brezit 700 MHz, të nevojshme për rrjetin celular 5G.
Kjo faturë është rritur me 1.3 milionë euro krahasuar me planin fillestar, pasi Autoriteti i Mediave Audiovizive pranoi ankesat e operatorëve televizivë për rënien e Euros dhe shtrenjtimin e pajisjeve, duke e çuar fondin nga 5.14 milionë në 6,43 milionë euro.

Projektligji i miratuar tashmë nga qeveria parashikon që këto para nga buxheti i shtetit të ndahen mes televizionit publik RTSH dhe pesë operatorëve privatë: Top Channel, TV Klan, Digitalb, ADTN dhe Media Vizion.
Si u bind AMA të rriste faturën?
Kur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hodhi për konsultim publik draftin e parë në shtator të vitit 2025, fondi i parashikuar ishte 5.1 milionë euro. Megjithatë, kjo shifër u kundërshtua ashpër nga televizionet kombëtare, të cilat e cilësuan të pamjaftueshme dhe të vjetëruar.
Top Channel, Digitalb dhe TV Klan argumentuan se llogaritja e kompensimit ishte bërë në Euro në vitin 2022 dhe rënia e monedhës europiane me rreth 30% kundrejt Lekut e kishte gërryer vlerën e parave që do të merrnin.
Përveç kursit të këmbimit, operatorët u ankuan se pajisjet e reja kushtojnë 20-30% më shtrenjtë, ndërsa pajisjet e vjetra mbeten të pashitshme, pasi Shqipëria është vendi i fundit në Europë që po liron këtë brez. Në kulmin e këtyre kundërshtimeve, vetëm TV Klan kërkoi një kompensim minimal prej 1.7 milionë eurosh.
Përballë këtij presioni, në fillim të vitit 2026, AMA angazhoi një ekspert të huaj për të rivlerësuar kostot. Ky rishikim solli edhe shtimin e rreth 1.3 milionë eurove në faturën finale që u miratua më pas nga Këshilli i Ministrave.
Faturë e dyfishtë
Brezi 700 MHz (i njohur si Digital Divident Dy) i duhet shtetit për t’ua dhënë kompanive celulare në funksion të teknologjisë 5G. Kjo është një kosto e dyfishtë për qytetarët, të cilët paguan rreth 5 milionë euro edhe në vitin 2017 për kalimin e mediave në transmetim numerik.
Kjo situatë vjen si pasojë e keqmenaxhimit rregullator në vitin 2017, kur po vetë AMA u dha televizioneve licenca 10 deri në 15-vjeçare në brezin 700 MHz, edhe pse dihej botërisht se afati i Bashkimit Europian për lirimin e këtyre frekuencave ishte qershori i vitit 2022.
Sipas ligjit të miratuar, pagesa do të bëhet me dy këste: gjysma e shumës (rreth 3.21 milionë euro) do të disbursohet në fillim të procesit, ndërsa 50% e mbetur do të paguhet në vitin 2027, vetëm pasi të verifikohet lirimi i frekuencave. Operatorët kanë një afat prej gjashtë muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit për të përfunduar të gjithë procesin teknik./ kapitali.al













