Pas një ndërprerjeje mbi dyvjeçare, gjatë së cilës nuk kishte asnjë lobist të kontraktuar në Shtetet e Bashkuara, Kosova ka lidhur këtë muaj marrëveshje me një kompani amerikane për përfaqësimin e interesave të saj në Uashington.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka nënshkruar kontratë me Ballard Partners. Kompania do të ofrojë këshillim strategjik dhe shërbime për marrëdhëniet me institucionet qeveritare amerikane, sipas dokumentit të dorëzuar në Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së në kuadër të Aktit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA).
Të lidhura
None found
Kontrata u regjistrua në FARA më 13 nëntor dhe hyri në fuqi më 15 nëntor 2026. Marrëveshja parashihet të zgjasë një vit.
Kosova do t’i paguajë Ballard Partners 50 mijë dollarë në muaj, ose 600.000 dollarë për të gjithë periudhën njëvjeçare. Përveç kësaj, MPJD-ja duhet të miratojë paraprakisht shpenzimet e arsyeshme për udhëtime dhe përfaqësim.
Pagesat do të kryhen çdo tre muaj, në këste prej 150.000 dollarësh.
Kontrata mban firmat e ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca, dhe të presidentit të kompanisë, Brian Ballard. Aty thuhet se Ballard Partners do të këshillojë dhe përfaqësojë Kosovën për çështje që i vlerëson të nevojshme dhe të përshtatshme për t’u trajtuar pranë Qeverisë federale amerikane.
Dokumenti i regjistruar në FARA përfshin lobimin dhe avokimin, hartimin e shpërndarjen e materialeve informuese, si dhe diskutimin e mundësive të reja për bashkëpunim mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, nuk përcaktohen objektiva konkrete politike për të cilat kompania do të punojë në emër të Kosovës.
Ballard Partners ishte angazhuar edhe më herët nga zyra e Presidencës, në vitin 2017, kur president ishte Hashim Thaçi.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar MPJD-së për sqarime të mëtejshme, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje. Kontratat e fundit të kësaj ministrie për lobim në SHBA ishin lidhur më 2023, kur ajo drejtohej nga Donika Gërvalla, tash ministre e Drejtësisë.
Kosova mbeti pa kontrata lobimi nga viti 2024
Në qershor të vitit 2023, MPJD-ja kishte angazhuar dy kompani për lobim në SHBA: Afërdita Rakipi Communications LLC, në pronësi të Afërdita Rakipit, dhe Ambal LLC, që i përket Avni Mustafajt.
Marrëveshjet, të nënshkruara më 26 qershor 2023, parashikonin angazhimin e secilës kompani për një vit. Qëllimi i deklaruar ishte “avancimi i marrëdhënieve dypalëshe mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës”, ndërsa pagesa për secilën ishte caktuar në 147 mijë euro, gjithsej 294 mijë euro.
Përveç shumave të parashikuara në kontrata, kompanitë kishin raportuar kosto shtesë, kryesisht për ushqim dhe udhëtime. Shumë nga takimet e deklaruara ishin mbajtur në restorante në Prishtinë, ndonëse marrëveshjet përfshinin këshillim strategjik dhe përfaqësim të MPJD-së në SHBA.
Sipas të dhënave të FARA-s, për periudhën nga korriku 2023 deri në janar 2024, Rakipi kishte deklaruar dy kontakte dhe Mustafaj katër. Në disa raste, të dy kishin raportuar takime me të njëjtët zyrtarë amerikanë, në të njëjtën datë.
Marrëveshjet skaduan në fund të qershorit 2024 dhe nuk u përtëritën. Prej asaj kohe, Kosova nuk ka pasur lobistë në SHBA, ndërsa shtetet e tjera të rajonit kanë lidhur disa kontrata të tilla.
Lobimi i vendeve të rajonit në SHBA
Kontratat e regjistruara nga shtetet e rajonit pasqyrojnë përpjekjet e tyre për të çuar përpara interesat në Uashington përmes lobimit.
Vitet e fundit, Serbia ka shtuar praninë e saj në Uashington përmes disa marrëveshjeve aktive me kompani amerikane. KARV Communications ofron komunikim strategjik dhe marrëdhënie me mediat kundrejt rreth 60 mijë dollarëve në muaj; Valcour LLC punon për promovimin e Serbisë si nikoqire e EXPO 2027, me pagesë prej 65 mijë dollarësh në muaj; ndërsa CRB Global LLC ofron këshillim strategjik për 10 mijë dollarë në muaj.
Në regjistrin amerikan gjenden gjithashtu kontrata të Odës Ekonomike të Serbisë dhe të dy kompanive private serbe.
Republika Sërpska, entitet i Bosnje e Hercegovinës, ka rritur ndjeshëm shpenzimet e lobimit në SHBA gjatë viteve të fundit. Në mesin e objektivave kryesore të 16 kontratave aktive duket se ka qenë heqja e sanksioneve amerikane ndaj udhëheqësit të atëhershëm të entitetit, Milorad Dodik, si dhe ndaj personave të lidhur me të.
Mali i Zi ka dy kontrata aktive, të dyja të nënshkruara në muajt e fundit të këtij viti. Njëra i përket Organizatës Kombëtare të Turizmit, ndërsa tjetra Partisë Demokratike Popullore.
Nga institucionet shtetërore shqiptare nuk figuron kontratë aktive lobimi. Në regjistër paraqitet vetëm një marrëveshje e Partisë Demokratike të Shqipërisë, si dhe kontrata të individëve dhe kompanive private.
Maqedonia e Veriut, në mënyrë të ngjashme, shfaqet në FARA vetëm përmes angazhimeve të kompanisë private ATS Group dhe të Bashkimit Demokratik për Integrim.
Lobimi në SHBA ka rëndësi të veçantë për Kosovën, duke pasur parasysh rolin amerikan në sigurinë e vendit dhe në proceset ndërkombëtare që ndikojnë tek ai, ndërsa shtetet e rajonit synojnë të avancojnë interesat e tyre në Uashington.
Vitin e kaluar, kur Kosova nuk kishte asnjë kontratë aktive lobimi, analistja politike Donika Emini i kishte thënë REL-it se vendi nuk mund të mbështetej vetëm te diplomacia tradicionale, e zhvilluar përmes ambasadave dhe konsullatave.
Sipas Eminit, në kushtet kur Serbia po e zgjeronte angazhimin në Uashington, mungesa e një pranie aktive të Kosovës rrezikonte ta linte atë në hije.
“Uashingtoni nuk është një vend ku vlerësohesh vetëm për vullnetin e mirë; është një fushëbetejë e influencës, ku lobimi, partneritetet strategjike dhe aftësia diplomatike përcaktojnë se kush zë vend në tavolinë”, kishte deklaruar Emini për REL-in.





