Nisi peshëngritjen vetëm 11 vjeç, kampioni Briken Calja rrëfen sakrificat që fshihen pas medaljeve

Peshëngritësi Briken Calja ka rrëfyer rrugëtimin e tij në sport, sakrificat ndër vite dhe njerëzit që e kanë mbështetur për të arritur majat e suksesit.
I ftuar në emisionin “Takohemi n’Vizion”, të moderatores Fjodora Fjora, kampioni tregoi se pas çdo medaljeje qëndrojnë vite pune, disipline dhe përkushtimi.
Calja u shpreh se këmbëngulja është ajo që e ka shtyrë gjithmonë përpara, ndërsa zbuloi se shtysa e parë për të nisur karrierën në peshëngritje ka qenë xhaxhai i tij.
“Është këmbëngulja ajo që më shtyn të vazhdoj përpara. Pa disiplinë, pa punë, pa sakrificë, asgjë nuk arrihet. Nuk janë rastësi këto arritje. Për të nisur karrierën, shtysa ka qenë xhaxhai im”, tregoi ai.
Peshëngritësi kujtoi gjithashtu fillimet e tij në këtë sport, në moshën 11-vjeçare, dhe rolin e trajnerit Leonard Toska në formimin e tij sportiv. Ai tha se përkushtimi ndaj sportit e ka detyruar të heqë dorë nga shumë gjëra që bashkëmoshatarët e tij i shijonin në atë periudhë.
“Leonard Toska ka qenë trajneri im. Nga aty ka nisur gjithçka. Ndihet krenar për të gjitha arritjet e mia. Unë e kam nisur shumë herët, që 11 vjeç. Sporti ka sakrifica, sepse duhet të rrish larg jetës së natës, larg alkoolit, larg shoqërisë, pasi kërkon përkushtim dhe nuk të mbetet kohë. Kur shihja shoqërinë time që kishte liri dhe kohë, mendoja për këtë, sepse unë ia kam kushtuar jetën sportit”, u shpreh Calja.
Një nga momentet që ka mbetur më i veçantë në kujtesën e tij është fitimi i medaljes së parë në Kampionatin Evropian, në vitin 2006. Ai tregoi se kishte pësuar një dëmtim në kofshë vetëm tri javë para garës, por arriti të fitonte medaljen, pavarësisht vështirësive.
“Medalja e parë në Evropian ka qenë në vitin 2006. Aty pësova një dëmtim, pasi tri javë më parë kisha pësuar një tërheqje në pjesën e kofshës dhe nuk kisha kohë të mjaftueshme për t’u rikuperuar. Por ia dola ta merrja medaljen. Ishte një gëzim i jashtëzakonshëm, sepse edhe konkurrenca ka qenë shumë e fortë. Medalja ka qenë diçka shumë e madhe”, deklaroi ai.
Në rrëfimin e tij, Calja ndaloi edhe te mbështetja e familjes, duke theksuar se prindërit kanë qenë dëshmitarët dhe mbështetësit më të mëdhenj të sakrificave të tij.
“Familja ka qenë ajo që i ka kaluar të gjitha etapat dhe që e ka ndjerë më shumë gjithë sakrificën time. Nëna ka qenë ajo që prekej më shumë nga sakrificat e mia. Babai është natyrë pak më e ashpër, një njeri që ka sakrifikuar shumë për të mbajtur familjen. Falë tij jam këtu ku jam sot. Dietat ushqimore kanë kushtuar shumë. Pavarësisht punës, pa financim është shumë, shumë e vështirë”, u shpreh Briken Calja në studion e “Takohemi n’Vizion”.
Disa nga arritjet e Briken Caljat
Europiani i të rriturve, 2012 (vendi i 6, pesha 69 kg); Botërori i të rriturve, 2011 (vendi i 16, pesha 69 kg); Europiani i U-23, 2011 (medalja bronzi, pesha 69 kg); Europiani i të rinjve, 2010 (medalje ari, pesha 69 kg); Botërori i 78 i të rriturve, 2010 (vendi i 12, pesha 69 kg); Botërori i 36 i të rinjve, 2010 (-, pesha 69 kg). Arritja e fundit e Briken Calja ka qenë në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026. Peshëngritësi shqiptar fitoi medalje ari në stilin e shkëputjes, duke ngritur 154 kilogramë, që është edhe një rekord për këtë kompeticion. Në stilin e shtytjes ai mori medalje bronzi, duke i dhuruar Shqipërisë dy medalje në Lojërat Mesdhetare.
/vizionplus.tv




