Agjencia e OKB-së paralajmëron rrezikun e vdekjeve nga hipotermia në Gaza

Botë | 2 minuta më parë

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Migracionin (IOM) ka paralajmëruar se pa furnizime të mjaftueshme strehimi dhe ndihma dimërore, rreziku i vdekjeve nga hipotermia në Gaza do të rritet ndjeshëm. Paralajmërimi vjen pas vdekjes së dyshuar nga ftohtësia të një fëmije 9-muajsh javën e kaluar.

Sipas Karl Baker, drejtuesit të programit të IOM-it në Gaza, mijëra familje të zhvendosura po jetojnë në kushte ekstremisht të vështira. Shirat e rënda të fundit kanë përmbytur dhjetëra mijëra çadra, duke përkeqësuar situatën tashmë kritike të strehimit.

“Pa strehim të duhur dhe pa artikuj kritike ndihmëse, do të ketë vdekje nga hipotermia,” deklaroi Baker. Ai theksoi se fëmijët janë veçanërisht të rrezikuar, pasi humbin nxehtësinë e trupit më shpejt. “Është e papranueshme që në botën moderne të ketë vdekje nga hipotermia.”

Shumica e popullsisë së Gazës, rreth 2.1 milionë banorë, janë të zhvendosur dhe të përqendruar në një pjesë gjithnjë e më të vogël të territorit, pasi Izraeli kontrollon rreth 60% të enklavës.

IOM-i raportoi se aktualisht rreth 100 mijë çadra po presin të hyjnë në Gaza – numër më i lartë se në vitet e mëparshme – por hyrja e tyre është e vonuar për shkak të mbylljes së kalimeve dhe kontrolleve të gjata të sigurisë nga ana izraelite. Baker bëri thirrje që të financohen dhe të lejohen të hyjnë struktura më të qëndrueshme, si karvane dhe banesa të parafabrikuara.

Agjencia ka një mungesë financimi prej 173 milionë dollarësh për programet e strehimit dimëror.

Nga ana tjetër, agjencia izraelite që koordinon ndihmat, COGAT, deklaroi se ka një “plan proaktiv të dimërizimit” dhe se furnizimet e mjekësia vazhdojnë të hyjnë në Gaza.

Baker përshkroi situatën si një nga më të rëndat që ka parë, duke e krahasuar Gazën me “një kamp të madh të personave të zhvendosur brenda vendit”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme