Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, akuzon Edi Ramën dhe Partinë Socialiste se po zvarrisin reformën zgjedhore, pasi nuk u intereson miratimi i ndryshimeve që do të garantonin një garë të barabartë dhe zgjedhje të lira e të ndershme.
I ftuar në ‘Edicionin e Pasdites’, me moderatorin Edvin Parruca, Gjoni deklaroi se Partia Demokratike është e hapur të mbështesë kërkesat e protestuesve, studentëve, shoqërisë civile dhe të gjithë qytetarëve që kërkojnë ndryshime në Kodin Zgjedhor, por edhe në Kushtetutë, me synimin për largimin e Edi Ramës nga pushteti dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Sipas tij, këto zgjedhje duhet të zhvillohen mbi bazën e një qeverie teknike, e cila do të garantonte standardet europiane dhe një proces të lirë e të ndershëm.
‘Partia Demokratike është e hapur dhe, përveç propozimeve të cilat kanë qenë propozime të një konsultimi politik brenda të gjithë faktorëve opozitarë, është dhe mbështet të gjitha kërkesat e protestuesve, të studentëve, të shoqërisë civile dhe çdo njeriu tjetër i cili kërkon që të bashkohet në një qëndrim të përbashkët në ndryshime të Kodit Zgjedhor, pse jo edhe ndryshime kushtetuese, të cilat të çojnë në largimin një herë e përgjithmonë të Edi Ramës nga pushteti dhe kalimin me zgjedhje të reja dhe të lira, mbi bazën e një qeverie teknike e cila do të garantonte që këto zgjedhje të ishin brenda standarteve europiane.
Kjo edhe për faktin sepse, po t'i referohesh edhe progres-raportit të Bashkimit Europian i cili ka dalë para dy javësh, çështja e reformës zgjedhore është një nga çështjet të cilat duhet të realizohet me konsensusin e të gjitha forcave politike, në mënyrë që fusha e veprimit dhe fusha e garës të jetë e barabartë dhe brenda standarteve europiane.
Edhe për një arsye tjetër, sepse zgjedhjet e lira, qoftë këto zgjedhjet lokale të cilat do zhvillohen në maj të 2027-ës, por edhe zgjedhjet e përgjithshme të cilat ne si Parti Demokratike, por edhe shoqëria civile, edhe studentët, dhe opinioni mbarë publik kërkon zgjedhje të parakohshme në raport me këtë qeveri e cila është bërë një gangrenë për gjithë qytetarët shqiptarë dhe që kërkohet që të jetë një vend kandidat në Bashkimin Europian, dhe me hapjen e këtyre kapitujve të cilët sipas deklarimeve që nuk janë optimiste, parë realitetin i cili sot është në Shqipëri, dhe reformat nuk kërkohen vetëm reforma në letër, por kërkohet një zbatim më i gjerë në lidhje me gjithë jetën politike, shoqërore dhe ekonomike shqiptare, dhe kriteret e Kopenhagenit janë kritere bazë për një demokraci funksionale, ku janë shteti i së drejtës, demokracia funksionale dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Tani, pyetja jote është një nga pyetjet më thelbësore të cilat çdo ditë edhe unë me cilësinë e anëtarit të komisionit të reformës zgjedhore, por edhe çdo deputet i Partisë Demokratike, por edhe vetë qytetarët të cilët e ndjekin dhe janë të interesuar që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, shtrojnë të njëjtën pyetje: Ku po shkohet në lidhje me këtë reformë? Çfarë po bëhet? Çfarë po arrihet?
A është kjo reformë një arnim në raport me të gjitha ndryshimet që kërkohen, apo kërkohet një reformë e re e cila në vetvete duhet patjetër që t'i përshtatet realitetit të ri shqiptar, por njëkohësisht edhe kërkesave të cilat dalin sot përpara nesh në raport me Bashkimin Europian por edhe me qytetarët shqiptarë. E vërteta është që Partia Demokratike ka vullnetin e vendosur dhe është stoike në qëndrimet e veta për të bërë një reformë e cila i përshtatet standardeve të Bashkimit Europian, por nga krahu tjetër që është në përputhje të plotë dhe me interesat e qytetarëve shqiptarë, por edhe të protestuesve të cilët kanë një periudhë kohore të gjatë që dalin në shesh, edhe në lidhje me studentët, edhe me shoqërinë civile, por edhe me të gjithë faktorët të cilët kërkojnë që në Shqipëri të mbyllet një kapitull në raport me zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Dhe ka ardhë momenti që në Shqipëri duhet të shkojmë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në mënyrë që shqiptarët të votojnë të lirë. Nga ana e Partisë Socialiste duket që ka një zvarritje, duket që ka një ngërç, nuk i intereson që të shkojnë me këtë kod. Padyshim që një proporcional me lista të hapura nuk i intereson, po kështu edhe listat e hapura në lidhje me këshillin bashkiak nuk ju interesojnë.
Partia Demokratike ka avancuar akoma më shumë që, duke qenë se sipas vëzhgimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it, të Parlamentit Europian, të Këshillit të Europës dhe të Komisionit të Venecias, një nga pikat kryesore është edhe moslejimi i votuesve të shkojnë në zgjedhje duke bllokuar kartat e identitetit, apo duke ushtruar presion që në rast se nuk votoni për partinë ose për subjektin që sot janë në pushtet, është më mirë që të qëndroni në shtëpi dhe mos paraqiteni...
Absolutisht për shkak të ushtrimit të pushtetit ekzekutiv, për shkak të ushtrimit të pushtetit të bandës, për shkak të mbledhjes së kartave të identitetit, apo dhe të korrupsionit që mos paraqiten në zgjedhje.
Dhe shembujt janë shumë praktikë dhe demokracitë funksionale, si në rastin e Australisë, si në rastin e Belgjikës, por edhe të një shteti i cili është afër nesh, pak a shumë e kanë të përcaktuar në mënyrë taksative daljen në zgjedhje me detyrim. Që çdo qytetar të shkojë në zgjedhje dhe të shprehë vullnetin e tyre.
Kjo edhe për shkak sepse shteti sot nëpërmjet presionit i cili po ushtron mbi qytetarët e vet, nëpërmjet mekanizmit të krimit të organizuar, nëpërmjet blerjes së interesave dhe shpërndarjes së interesave, qoftë me legalizimet, qoftë me lejet e ndërtimit, qoftë me punësimet sezonale, qoftë edhe me mënyra të tjera, kërkon që t'i joshë njerëzit dhe të mos i lejojë që të dalin pranë qendrave të votimit.
Nga krahu tjetër, nga krahu tjetër, ne në vetvete kërkojmë që të krijojmë koalicionet parazgjedhore, një e drejtë e cila ka ekzistuar deri me datën 5 tetor, dhjetor të vitit 2020, një marrëveshje e cila u vendos në prani të ish-ambasadores amerikane, por që 4 muaj më vonë u shkel nga ana e kryeministrit Edi Rama dhe e Partisë Socialiste, dhe që Komisioni i Venecias ka dhënë edhe një verdikt që këto koalicione parazgjedhore duhet të jenë dhe është normale që secila nga partitë politike në një koalicion parazgjedhor të kandidojë me siglën dhe me përfaqësuesit e tyre politikë. Dhe fakti që koalicionet parazgjedhore futen në një listë të vetme duke ngrënë nga partitë e mëdha, në vetvete nuk lejon formën e koalicionit.
Dhe Partia Socialiste deri në vitin 2013, para vitit 2013 erdhi në pushtet për shkak të rotacionit, për shkak të këtyre koalicioneve parazgjedhore. Dhe pas asaj periudhe, ne shikojmë që gjithçka është vështirësuar në raport me ndryshimet ligjore, qoftë këto në Kodin Zgjedhor, por njëkohësisht edhe me ndryshime kushtetuese, të cilat edhe forcat e tjera politike i kërkojnë në mënyrë që të jenë përbërëse të parlamenteve të ardhshme dhe të kenë zgjedhjet e tyre politike me kandidatët e tyre politikë.’, tha deputeti Gjin Gjoni në SYRI TV.
© SYRI.net