Gjykata e Lartë në Beograd ka lëshuar urdhër-arrest për Milan Radoiçiçin, ish-nënkryetar i Listës Serbe, duke vendosur ndaj tij edhe masën e sigurisë “arrest me burg”.
Vendimi është marrë pasi ai nuk është paraqitur në komisariatin e policisë më 15 nëntor, në kundërshtim me masën e detyrimit për paraqitje, të vendosur në kuadër të hetimeve për sulmin e armatosur në Banjskë të Kosovës.
Lajmi është konfirmuar për median “Insajder” nga Gjykata e Lartë në Beograd. Radoiçiç duhej të paraqitej në komisariatin e Savski Venacit për të konfirmuar se ndodhej në vendbanimin e deklaruar, sipas detyrimit që kishte deri më tani.
Sipas raportimeve të BIRN, ish-nënkryetari i Listës Serbe ishte paraqitur rregullisht në polici më datat 1 dhe 15 të çdo muaji. Herën e fundit ai kishte konfirmuar praninë më 1 nëntor, ndërsa komisariati kishte njoftuar gjykatën përmes një shkrese të datës 4 nëntor.
Gjykata e Lartë kishte konfirmuar më herët për televizionin N1 se po monitoronte zbatimin e masave të sigurisë dhe se, në bashkëpunim me autoritetet kompetente, po ndërmerrte veprimet e parashikuara me ligj.
Ndërkohë, pasaporta e Radoiçiçit ndodhet pranë Gjykatës së Lartë në Beograd, e cila i kishte caktuar edhe detyrimin për paraqitje periodike në polici, në kuadër të procedimit penal për ngjarjet në Banjskë, raporton “Danas”.
Milan Radoiçiç është nën hetim për përfshirjen e dyshuar në sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës.
Sulmi u krye nga një grup i armatosur serb dhe përfundoi me vrasjen e katër personave, mes tyre një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe tre anëtarë të grupit të armatosur.
