Një lojë e përhapur në TikTok ka marrë një kthesë fatale në Republikën Dominikane. Katia Araujo humbi jetën pasi u mbyt me një copë pule gjatë një sfide me miqtë.
Ngjarja ndodhi në San Cristobal. Copëza e ushqimit i bllokoi rrugët e frymëmarrjes dhe e reja pësoi asfiksi. Miqtë e saj e kuptuan se ajo nuk mund të merrte frymë dhe u përpoqën t’i jepnin ndihmën e parë, por nuk arritën ta shpëtonin.
Të lidhura
None found
Një fqinj e çoi më pas me makinë në spital. Kur mbërriti në institucionin shëndetësor, mjekët konstatuan se ajo kishte ndërruar jetë.
Mediat e huaja raportojnë se bëhej fjalë për një lojë që është përhapur gjerësisht në rrjetet sociale dhe që ndërthur ushtrimin “gur, gërshërë, letër”. Pasi luajnë mes tyre, fituesi mund të hajë sa më shumë ushqim që arrin, ndërsa pjesëmarrësit e tjerë vrapojnë drejt një pike të caktuar dhe kthehen.
Vdekja e Araujo ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe ka rikthyer shqetësimin për rreziqet e sfidave virale.
Sfida të tilla shpesh realizohen për të tërhequr më shumë shikime dhe ndjekës. Ato mund të përfundojnë me pasoja fatale, sidomos kur përfshijnë konsumimin e sasive të mëdha të ushqimit brenda një kohe të shkurtër.





