E martë, 17 Nëntor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 19:00 Në vijim ora 19:00: Lajme Ora 19:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Sociale

Kur të tjerët janë në festë, ata janë në shërbim! Nga mjeku te DJ dhe kuzhinierët, të ftuarit rrëfejnë sakrificat e profesioneve të tyre

Festat, fundjavat dhe orët e vona të natës janë momente kur shumica e njerëzve pushojnë dhe kalojnë kohë me familjen, por për disa profesione këto janë pikërisht orët më të ngarkuara të punës. Kjo ishte tema e diskutimit në emisionin “Takohemi n’Vizion”, ku të ftuarit ndanë përvojat e tyre dhe treguan se çfarë do të thotë të jesh në shërbim të të tjerëve kur të gjithë janë pushim.

Mjeku Joan Kosta tregoi se puna në ditët e festave kërkon gatishmëri të vazhdueshme, pasi pikërisht në këto periudha njerëzit mund të kenë më shumë nevojë për ndihmë mjekësore.

“Të jesh në gatishmëri kur të gjithë njerëzit kanë nevojë, kjo të bën të ndihesh akoma më mirë. Në turnet e festave kemi qenë në gatishmëri, sepse janë ditët kur ka edhe më shumë nevojë. Familja më ka mirëkuptuar. Në çdo moment duhet të jemi të kujdesshëm për t’i dhënë ndihmën e parë pacientit. Duhet të jesh sa më i vetëdijshëm”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, shefi i kuzhinës Erriko Zebi e cilësoi profesionin si të bukur, por që kërkon disiplinë dhe përkushtim të madh, veçanërisht gjatë festave.

Reklamë

“Profesioni i kuzhinierit është shumë i bukur. Kërkon disiplinë dhe përkushtim, sidomos në rast festash. Kur të tjerët festojnë, ne jemi ata që duhet të japim maksimumin. Mundohem që klientin edhe ta takoj dhe dua të dëgjoj komente, qofshin pozitive apo negative. Ka klientë të bezdisshëm, por prandaj jemi aty. Ne shefat nuk gatuajmë asnjëherë për veten. Unë, kur mbyll lokalin, porosis nga jashtë”, tregoi Zebi.

Edhe stjuardesa Antonela Gjeluci foli për sfidat e punës gjatë festave dhe organizimin e turneve, duke treguar se ka zgjedhur të punojë kryesisht në turnin e pasdites. Ajo ndau edhe një detaj nga përvoja e kolegëve të saj, të cilët kanë përjetuar atmosferën e veçantë të mbërritjes në Tiranë në momentin e hedhjes së fishekzjarrëve.

Gjeluci u ndal edhe te marrëdhënia me pasagjerët, duke theksuar se përpiqen të gjejnë zgjidhje edhe në situata të vështira. E pyetur nga moderatorja nëse dashuria mund të gjendet në avion, ajo u përgjigj se raste të tilla ndodhin.

“Mua s’më ka rënë rasti, por kolegët e mi e kanë përjetuar. Se tregojnë që janë në momentin e zbritjes në Tiranë dhe është magjik ai momenti i hedhjes së fishekzjarrëve. Klienti ka gjithmonë të drejtë. Edhe kur s’ka, mundohemi edhe ne t’u tregojmë që edhe ne kemi të drejtë. Kemi disa mundësi për të zgjedhur turnet. Unë kam zgjedhur turnet e pasdites. Më mungon ndonjëherë që s’jam në darkë në shtëpi. Por kemi edhe ditë pushimi, kështu që nuk ankohem”, deklaroi Gjeluci.

Ndërkohë, DJ Enriko Cacurri rrëfeu se festat nuk i kalon në shtëpi, pasi puna e tij lidhet me argëtimin e publikut dhe atmosferën në lokale.

“Për festa unë nuk jam në shtëpi. Ka ndodhur që ka ardhur mëngjesi dhe unë nuk e kam kuptuar fare. Përderisa është diçka që e bëj me dëshirë, gëzimi i turmës dhe ndjesitë e publikut janë ato për të cilat je aty. Ne nuk bëjmë pushim as në verë. Shumica i marrin pushimet në shtator”, u shpreh ai.

Një tjetër këndvështrim solli hostja dhe influencerja Samanta Spaho, e cila foli për paragjykimet që shoqërojnë punën në orët e vona të natës, veçanërisht për vajzat që punojnë në klube.

“Të punosh natën do të thotë që ti feston me të tjerët, me atmosferën. Unë e kam zgjedhur vetë këtë që bëj. Është një punë që paragjykohet shumë. Nuk ka asgjë të keqe që të punosh në një klub. Nuk duhet të jetë tabu që një vajzë të punojë në turnin e tretë. Në marrëdhëniet e mia është pak problem. Bëjnë sikur e pranojnë, por nuk e pranojnë. Ndërsa familja ime më ka mbështetur”, tha Spaho.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.