Berisha nga Berati: Përballë çdo rreziku ekzistencial na duhet bashkimi

Nga foltorja e Ripërtëritjes në Berat, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u drejtua mbështetësve duke vënë theksin te nevoja absolute për bashkim përballë rreziqeve ekzistenciale që, sipas tij, kërcënojnë vendin.
Në fjalimin e tij, Berisha theksoi se mesazhi i vërtetë që del nga situata aktuale është bashkimi, në kontrast me përpjekjet e kundërshtarëve.
“Ka mesazhe të tjera, ju e patë, në atë uragan mesazhi i vërtetë ishte bashkimi, kurse mesazhi i çirakëve të qeverisë dhe armiqve të PD, ishte krahasimi i PD me partinë e krimit apo ishte krahasimi i Berishës me Edi Ramën me shpresën dhe mendimin se do mund të krijonin skenarin serb,” deklaroi ai.
Sipas Berishës, përpjekjet për të goditur Partinë Demokratike ishin donkishoteske. Ai theksoi se PD nuk është parti që thyhet lehtë, sepse që nga javët e para të themelimit ka mbajtur si yll polar çështjen kombëtare dhe ka paguar çdo çmim për të.
“Nuk është parti që thyhet kjo, se në fakt parti për interesin e parë kombëtar që nga java e parë e themelimit gjer sot, ka paguar çdo çmim. Një javë parti ishim ne kur deklaruam se çështja kombëtare është ylli ynë polar. Dhe çështjen kombëtare, të gjithë ata që e kishin krijuar, e pritën me drithma këtë deklaratë të partisë njëjavore. Në i qëndruam,” tha Berisha.
Ai pranoi se partia ka bërë gabime, por theksoi se historia e saj është historia e lirisë së shqiptarëve dhe e vokacionit perëndimor të kombit.
Sipas tij, të gjitha arritjet evropiane të standardeve të sotme të shqiptarëve janë vepër e PD-së: nxjerrja e vendit nga varfëria dhe mjerimi, renditja në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta, qytetarët më të paguar të rajonit, javën e punës pesëditore, zgjatjen e lejes së lindjes në një vit, zgjatjen e lejeve të tjera, firmosjen e MSA-së, liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në NATO.
“Ishte kjo parti që kaloi një kalvar për dinjitetin dhe luftoi për dinjitetin e çdo demokrati, qëndroi e pamposhtur dhe tani të mendosh se mund ta sikterisësh është njëlloj si të besosh Shpiragun nga vendi,” theksoi ai.
Duke u kthyer te mesazhi kryesor, Berisha tha se në çdo rrezik ekzistencial ka vetëm një përgjigje: bashkimi.
Ai citoi Uinston Çërçillin, i cili theksonte se qytetërimi, liria dhe paqja mund të ruhen vetëm me bashkim, duke kujtuar se vetë Çërçilli u bashkua me Josif Stalinin përballë kërcënimit të Luftës së Dytë Botërore.
Ai renditi rreziqet aktuale që, sipas tij, kërcënojnë ekzistencën e shqiptarëve.
“Dhe në çdo rrezik ekzistencial ka vetëm një mesazh, bashkimi. Uinston Çërçill thotë se qytetërimi mund të jetojë gjatë, se liria mund të mbrohet, se paqja mund të ruhet, me kusht vetëm bashkimin.
Me këto parime ai u bashkua me Josif Stalinin, që është pa diskutim krimineli më i madh i shekullit. Por u bashkua për të përballuar një makineri të tmerrshme lufte që po mbillte vrasje, djegie e shkatërrime në mbarë Evropën dhe ia doli. Dhe të themi ne shqiptarët të mos bashkohemi sot? Kurrë.
Ne kemi një rrezik ekzistencial, kemi një rrezik që po na përzë nga Shqipëria. Kemi një rrezik që ka shndërruar pasuritë tona në mallkim për shqiptarët. Kemi një rrezik që për ne vendos droga në të gjitha nivelet. Atëherë hajt të bashkohemi”, deklaroi më tej Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




