Ferit Hoxha, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, u takua me Marta Kos, Komisioneren Evropiane për Zgjerimin. Biseda u përqendrua te procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe hapat që duhen ndërmarrë për përmbylljen e negociatave.
Gjatë takimit, diskutuesit vlerësuan ecurinë e vendit pas publikimit të Raportit të Progresit 2026. Ata shqyrtuan gjithashtu udhërrëfyesin e negociatave, perspektivën e procesit dhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Të lidhura
None found
Hoxha tha se Shqipëria ka krijuar një vrull të fortë dhe real në rrugën drejt BE-së, i cili duhet të sjellë rezultate konkrete dhe të matshme.
“Tani është koha që këtë momentum ta përkthejmë në rezultate të matshme, të vijojmë me mbylljen e kapitujve dhe t’i shndërrojmë angazhimet në reforma, e reformat në anëtarësim”, u shpreh ministri.
Ai vuri në dukje se bashkëpunimi i ngushtë me Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së është i rëndësishëm për përshpejtimin e reformave, përmbushjen e angazhimeve dhe ruajtjen e ritmit të negociatave në këtë fazë vendimtare të anëtarësimit.
Në fund, ministri Hoxha e falënderoi Komisioneren Kos për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë dhe për angazhimin e saj në favor të një procesi zgjerimi të besueshëm e të bazuar në meritë. Ai theksoi se zgjerimi është investim strategjik në të ardhmen e përbashkët evropiane.








