17 Nëntori, dita kur Tirana shpëtoi nga nazistët dhe hyri në historinë e paradokseve
Publikuar nga Ergis Noka
CLIRIMI I TIRANËS
Nëse ndonjë regjisor do përpiqet të rindërtojë ditën e clirimit të Tiranës duhet të prodhojë sa më shumë tym artificial në qendrën e qytetit duke i shpërndarë ushtarët gjermanë dhe ata partizanë si kukulla plastike nëpër rrugë të ndryshme.
Atë ditë, pra në 17 nëntor 1944, Tirana i ngjante një qyteti të mbushur me vatra zjarri, me topa të lënë në mes të rrugës, me thasë rëre që bllokonin sheshin skënderbej, me shtëpi të shembura, me minare të shkatërruara, me barrikada hekurishtesh dhe me partizanë që kacavirreshin si macokë majë cative duke pritur të fusnin kokën e ndonjë gjermani në shënjestrën e pushkëve të tyre të shtrembëra.
Lufta për clirimin e Tiranës vazhdoi gati tre javë dhe më shumë se përplasja mes dy ushtrije që zihen për një qytet të madh, i ngjante tërheqjes së një gjigandi që ishte verbuar në një front tjetër, ndërkohë që gjymtyrët e tij po sulmoheshin në një qytet të vogël nga disa reparte lilipute.
Nëse gjyshërit e mi, që ishin të dy partizanë, do jetonin akoma, nuk do ma falnin këtë fjali,por partizaët ishin vërtet njësi të paorganizuara që korrën disa fitore kur gjermanët e humbën Luftën e Dytë Botërore kundër Amerikës Anglisë dhe Rusisë.
Në Tiranë gjermanët kishin kapur godinat kryesore të qytetit dhe ishin fshehur mbi catinë e Bankës Shqipërisë, të garnizoni ku është sot dhoma e tregtisë, te zyrat e ministrive, te bashkia që ishte aty ku sot është Muzeu Kombëtar, te Lidhja e Shkrimtarëve dhe te Hotel Dajti duke kontrolluar një pjesë të bulevardit dhe rrugën e Durrësit nga e cila u larguan për në Shkodër.
Kuptohet që ata kishin ngritur postblloqe dhe betejat më të ashpra janë bërë në bulevard përballë hotel Dajtit që gjermanët e humbën të parin, pastaj te sheshi Skënderbej dhe te rruga e Kavajës që u clirua në datën 17 nëntor kur trupat gjermane u tërhoqën përfundimisht.
Për fat të keq filmat shqiptarë nuk e rikrijuan dot kurrë betejën e Tiranës që do ishte një pasuri historike dhe artisktike e cila nuk mund të xhirohet dot më.
Tirana e sotmshme nuk i ngjan fare qytetit të vitit 1944 dhe me përjashtim të disa godinave objektet për të cilat luftohej janë prishur.
Por ndryshe nga Berlini, Praga, Varshava, Vilniusi, Riga, Tbilisi, Vjena, Beogradi dhe shumë qytete të tjera ushtria e kuqe sovjetike nuk hyri në Tiranë, ndërkohë që anglezët dhe amerikanët ndihmuan nga ajri pa zbritur asnjëherë me trupa.
Pra tokën e Tiranës nuk e shkelën as rusët dhe as amerikanët.
Tirana u clirua nga partizanët shqiptarë me ndihmën e bombardimeve perëndimore.
Cudija është se megjithëse ushtarët sovjetike nuk shkelën në Tiranë sic bënë në Bukuresht, Siofje. Budapest dhe Beograd ne qëndruam 40 vjet me sovjetikët megjithëse nuk i kishin atyre asnjë borxh.
Ndërkohë megjithëse amerikanët dhe anglezët na ndihmuan ne u bëmë armiq të tyre.
Nuk thonë kot se ne dimë t’i zgjedhim më mirë miqtë si armiqtë.
Unë e kam përshkruar cilrimin e qytetit në romanin tim Historitë e Cmendura të Tiranës, përmes një personazhi të famshëm me emrin Marko Von Toptani, një djalë i pasur tiranas që megjithëse u bë me gjermanët, sërish ndihmoi shumë njerëz të shëpëtonin nga vuajtjet e luftës dhe bombardimet.
Më shumë se nazist ai ishte aventurier dhe si i tillë u largua nga qyteti bashkë me trupat gjermane duke i shpëtuar komunizmit që i mori pronat bashkë me makinën më të bukur të këtij qytetit, një Alfa Romeo cabriolet e kuqe me të cilin Enver Hoxha hyri duke u kapardisur në Tiranë në datën 28 nëntor 1944.
Për ironi të fatit komunizmi erdhi në Tiranë në timonin e një simboli të lluksit kapitalist si dhe nga bombat e teknologjisë më të lartë perëndimore.
Kushdo që do të mësojë pak më shumë për këto ngjarje që bashkuan kaq shumë marrëzi të paimagjinueshme,mund t’i gjejë te romani im Historitë e Cmendura të Tiranës që prej dy javësh është në cdo librari.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



