
Rrjeti i brendshëm i komunikimit i klasifikuar i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (NSA) ishte jashtë funksionit të martën, duke bërë që agjencia e spiunazhit t’u kërkonte punonjësve të saj të mbërrinin në orare të ndryshme në selinë qendrore në Maryland, sipas personave të njohur me çështjen.
Rrjeti, i njohur si NSANet, është thelbësor për punën e agjencisë, sipas zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve të inteligjencës. Ai përdoret për të dërguar dhe marrë informacione tepër sekrete. Një pjesë e madhe e punës që kryen agjencia, përfshirë përgjimin e spiunëve të huaj dhe terroristëve, është e klasifikuar, ndaj ndërprerja e rrjetit do të përbënte një pengesë serioze, shkruan NY Times.
Aktualisht nuk ka shenja se ndërprerja është pasojë e një sulmi kibernetik apo e ndonjë aktiviteti tjetër keqdashës, thanë burimet. Njëri prej tyre tha se NSANet ka qenë i paqëndrueshëm prej disa javësh, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi mes punonjësve. CNN raportoi më herët për ndërprerjen.
Një shërbim telefonik me mesazhe zanore për punonjësit e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, të cilit një gazetar i New York Times iu drejtua të martën në mëngjes, e cilësoi ndërprerjen si një “kod të verdhë” për turnin e ditës në selinë e agjencisë në Maryland. Ky është niveli i dytë më i lartë i alarmit në një sistem me tre nivele.
“Personeli që nuk është i angazhuar në raste emergjente duhet të nisë mbërritjen me orare të ndryshme, jo më herët se mesdita”, thuhej në regjistrimin zanor. “Personeli i emergjencave duhet të paraqitet në detyrë sipas orarit të caktuar.”
NSA nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Me seli në Fort Meade, Maryland, Agjencia e Sigurisë Kombëtare është një nga agjencitë më të mëdha të inteligjencës në qeverinë amerikane, me dhjetëra mijëra punonjës. Ajo është agjencia kryesore përgjegjëse për mbledhjen e inteligjencës së sinjaleve, ose përgjimin elektronik të komunikimeve të huaja, në shërbim të politikëbërësve amerikanë. Ajo luan gjithashtu një rol qendror në mbikëqyrjen e sigurisë kibernetike të rrjeteve qeveritare.
Ndërprerja është problemi më i fundit në një seri defektesh teknologjike të ditëve të fundit, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e mediave. Mes tyre përfshihen pezullimi i fluturimeve në të gjithë vendin, një ndërprerje e produkteve të Microsoft-it dhe probleme me shërbimet bankare. Asnjë prej këtyre rasteve nuk është lidhur me një sulm kibernetik; ato janë atribuar problemeve të zakonshme teknologjike.