
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, mohoi të martën se Teherani po planifikonte të përdorte armë kimike në Uashington, duke i quajtur pretendimet “propagandë e stilit të Luftës në Irak”. Në një postim në X, Araghchi shkroi se mediat që ai i cilësoi si “pro-Izrael” kishin përhapur gjatë 72 orëve të fundit pretendimin për armë kimike.
Po ashtu, sipas tij, ishte përhapur edhe një pretendim tjetër se Irani po ndërtonte baza raketore nën diga. “Na kurseni nga propaganda e stilit të Luftës në Irak, veçanërisht kur pas saj duken qartë gjurmët e Izraelit. Askush nuk po i beson këto pretendime”, shkroi ai në X, sipas njoftimit të tij publik.
Araghchi shtoi se “të njëjtat akuza të rreme, e njëjta nxitje e luftës, logo të reja” po përsëriten, pa dhënë detaje të tjera mbi provat që pretendon se mungojnë. Reagimi i kreut të diplomacisë iraniane erdhi pas një raportimi të CNN të hënën. Ky raportim citonte shtatë zyrtarë amerikanë të njohur me informacionet e inteligjencës, sipas të cilave Irani kishte shqyrtuar mundësinë e sulmeve ndaj zyrtarëve të lartë të administratës Trump në Uashington, duke përdorur një bombë të pistë radioaktive ose armë kimike.
Sipas raportimit, informacionet e inteligjencës tregojnë për përpjekje për të hartuar skenarë të mundshëm sulmesh, dhe jo për prova të një operacioni të afërt. Disa burime thane se ishin identifikuar lokacione konkrete dhe objektiva të mundshëm në kryeqytetin amerikan. Aktiviteti i raportuar ka shtuar shqetësimet për sigurinë dhe ka nxitur planifikimin e masave emergjente nga zyrtarët amerikanë.
Ekzistojnë mendime të ndryshme nëse Teherani ka kapacitetin ose synimin për të kryer një sulm të tillë. ## Qalibaf akuzon mediat amerikane Në të njëjtën ditë, kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Qalibaf, akuzoi mediat amerikane se po përhapin mesazhe në favor të luftës.
“Besueshmëria e së djathtës ka arritur pikën më të ulët, ndaj operacioni i propagandës është zhvendosur te NYT dhe CNN”, shkroi Qalibaf në X. Sipas tij, ky operacion ishte “miratuar nga Larry Ellison”, të cilin e përshkroi si donatorin më të madh privat të ushtrisë izraelite dhe “pronarin e ri të CNN”.
Qalibaf shtoi se “kapja e mediave është në zhvillim të plotë”, duke e lidhur kështu akuzën për propagandë me pronësinë e mediave amerikane. Nga ana amerikane, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Lauren Bis, tha se administrata po monitoron kërcënimet e mundshme. Megjithatë, theksoi ajo, në këtë moment nuk ka “kërcënime të besueshme ndaj territorit amerikan”.
Deklarata e Bis vjen ndërsa zyrtarët amerikanë vijojnë të vlerësojnë informacionet e inteligjencës dhe të planifikojnë masat e nevojshme, pa konfirmuar nëse pretendimet për armë kimike janë verifikuar.
